Shqipëria turistike në fokus të medias kanadeze
– Me një kombinim të veçantë të peizazheve bregdetare dhe malore, qyteteve historike dhe traditave të pasura, Shqipëria ofron mundësi të shumta për të eksploruar dhe për të përjetuar pushime të larmishme.
Krahas bukurive natyrore dhe trashëgimisë kulturore, një tjetër element që e bën vendin tërheqës për turistët e huaj është kostoja relativisht e përballueshme e akomodimit, ushqimit dhe aktiviteteve turistike.
Në një kohë kur destinacionet tradicionale po bëhen gjithnjë e më të kushtueshme, disa vende vazhdojnë të ofrojnë mundësi shumë të mira për të shijuar pushime cilësore me shpenzime të përballueshme, shkruan Marie-Ève Leclerc në një artikull të botuar në median kanadeze “Milesopedia”.
Pas përvojave në vende ku kostoja e jetesës është më e ulët se në Kanada, autorja rekomandon disa destinacione ku mund të shijohen përvoja të paharrueshme me një raport shumë të mirë mes cilësisë dhe çmimit.
Në listën e destinacioneve të rekomanduara përfshihen gjashtë vende nga rajone të ndryshme të botës, të cilat ofrojnë mundësi për pushime cilësore me kosto të përballueshme, Kolumbia, Meksika, Brazili, Maroku, Shqipëria dhe Guatemala.
Shqipëria: Sekreti i Ballkanit
Shqipëria po kthehet gjithnjë e më shumë në një destinacion tërheqës për vizitorët, që kërkojnë përvoja cilësore me kosto të përballueshme.
Plazhet e Rivierës Shqiptare, sitet e trashëgimisë botërore të UNESCO-s dhe mikpritja, e bëjnë vendin një zgjedhje interesante për pushime.
Pas një jave të plotë në kryeqytetin e Tiranës, duke punuar në distancë, kjo përvojë e nxiti për t’u rikthyer dhe për të zbuluar më nga afër bukuritë natyrore të Shqipërisë.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, Marie-Ève Leclerc pati mundësinë të vizitonte Liqenin e Bovillës, një ekskursion që ia vlen të përfshihet në itinerarin e kujtdo, që dëshiron të zbulojë bukuritë natyrore të Shqipërisë, dhe që kushton vetëm 28 euro.
Nëse do të kishte pasur më shumë kohë në dispozicion, do të kishte vizituar edhe Beratin, qytetin e përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Përveç këtyre, Shqipëria ofron edhe shumë vende të tjera që ia vlen të zbulohen:
Riviera Shqiptare shtrihet nga Vlora deri në Sarandë dhe ofron plazhe me ujëra të kristalta.
Ndër më të njohurit është Ksamili, ku një ditë në plazh, përfshirë çadrën dhe shezlongët, mund të kushtojë vetëm rreth 10 dollarë kanadezë.
Qyteti antik i Butrintit, i përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, përfaqëson një pasuri historike me rreth 2,500 vjet histori dhe mund të vizitohet për afërsisht 8 dollarë kanadezë.
Në veri të vendit, zona malore e Thethit ofron shtigje mbresëlënëse për ecje në natyrë, veçanërisht drejt Syrit të Kaltër të Thethit dhe ujëvarës së Grunasit.
Në këtë zonë, bujtinat tradicionale ofrojnë akomodim dhe ushqim për rreth 35 dollarë kanadezë në ditë.
Në bregdetin e detit Jon, plazhi i Gjipesë, i cili mund të arrihet me një ecje të shkurtër, mbetet një nga vendet më pak të zbuluara të Evropës.
Ndërkohë, për ata që dëshirojnë të përjetojnë atmosferën autentike të Rivierës Shqiptare, fshatra si Dhërmiu dhe Himara ofrojnë apartamente me pamje nga deti për rreth 40 dollarë kanadezë nata.
Një tjetër atraksion është rruga panoramike e Llogorasë, me kthesat e saj të njëpasnjëshme dhe pamjet mbresëlënëse mbi det, që e bëjnë atë një nga itineraret më të bukura të Ballkanit.
Buxheti ditor për pushime në Shqipëri
Shqipëria ofron mundësi të mira për të organizuar pushime me një buxhet të përballueshëm, pa hequr dorë nga cilësia e akomodimit dhe përvojat turistike.
Sipas përllogaritjeve të autores, një natë në hotelet “boutique” kushton nga 25 deri në 60 dollarë kanadezë, ndërsa një vakt me gatime tradicionale shqiptare mund të kushtojë rreth 10–20 dollarë kanadezë.
Për vizitorët që dëshirojnë të eksplorojnë vendin me makinë, qiraja e një automjeti llogaritet nga 25 deri në 40 dollarë kanadezë në ditë.
Ndërsa ekskursionet e organizuara, të shoqëruara nga guida turistike, kanë një kosto që varion nga 20 deri në 45 dollarë kanadezë.
Shqipëria, një destinacion turistik me kosto të përballueshme
Gjatë qëndrimit në Tiranë, Marie-Ève Leclerc dhe kolegia e saj, Marie-Claude patën mundësinë të shijonin mikpritjen dhe shërbimin në hotelin “Tirana Marriott”, i cili ofron një alternativë cilësore akomodimi në kryeqytet.
Jashtë Tiranës, vizitorët mund të zgjedhin mes hoteleve të pavarura, bujtinave tradicionale dhe apartamenteve të ofruara përmes platformave si “Airbnb”.
Këto alternativa ofrojnë mundësi të mira për të eksploruar edhe pjesë të tjera të vendit, duke përfituar nga çmimet konkurruese të akomodimit.
Përsa i përket transportit ajror, Shqipëria ka lidhje të mira me pjesën tjetër të Evropës, ndërsa numri i fluturimeve direkte me destinacionet në kontinentet e tjera është më i kufizuar.
Megjithatë, vizitorët mund të zgjedhin fluturime drejt Tiranës nga qendrat kryesore ajrore evropiane, duke e bërë vendin lehtësisht të arritshëm edhe për vizitorët nga Kanadaja dhe pjesë të tjera të botës.
Një mundësi tjetër për të pasuruar përvojën e udhëtimit, është kombinimi i vizitës në Shqipëri me një ndalesë në një destinacion tjetër evropian.
Kështu, vizitorët mund të shfrytëzojnë rastin për të vizituar dy vende gjatë të njëjtit udhëtim, duke përfshirë në itinerar qytete si Athina, përpara se të mbërrijnë në Tiranë. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.