Ndahet nga jeta Jeremy Thomas, producenti i njohur britanik dhe fitues i çmimit “Oscar”
LONDËR, 12 shtator /ATSH-DPA/- Producenti britanik i filmave Jeremy Thomas, fitues i çmimit “Oscar” dhe i njohur për filmat si, “The Last Emperor” dhe “Sexy Beast”, ka ndërruar jetë në moshën 77-vjeçare.
Sipas një deklarate të publikuar nga përfaqësuesi i tij, Thomas u nda dje nga jeta paqësisht, në shtëpinë e tij në Oxfordshire, në Britani të Madhe, i rrethuar nga familjarët dhe njerëzit e tij të afërt.
Thomas ishte një nga producentët më të njohur britanikë dhe gjatë karrierës së tij të gjatë, bashkëpunoi me regjisorë të rëndësishëm ndërkombëtarë, përfshirë Bernardo Bertolucci, David Cronenberg dhe Nicolas Roeg.
Filmi që i solli famën më të madhe ishte “The Last Emperor” (Perandori i fundit), i vitit 1987, që tregon historinë e Puyit, perandorit të fundit të Kinës.
Filmi u drejtua nga Bernardo Bertolucci dhe fitoi nëntë çmime “Oscar”, përfshirë çmimin për filmin më të mirë.
Thomas bashkëpunoi edhe disa herë të tjera me Bertolucci, në filmat “The Sheltering Sky”, “Little Buddha”, “Stealing Beauty” dhe “The Dreamers”.
Ndër filmat e tij të njohur janë edhe “Bad Timing”, “The Sheltering Sky”, “High-Rise”, si dhe “A Dangerous Method”, ku luanin Keira Knightley dhe Michael Fassbender dhe ku trajtohej marrëdhënia mes psikanalistëve Sigmund Freud dhe Carl Jung.
Thomas e nisi karrierën në industrinë e filmit duke punuar në montazhin e filmave, përpara se të bëhej producent.
Filmi i tij i parë si producent ishte “Mad Dog Morgan”, në vitin 1976.
Ai ishte i njohur për filmat artistikë dhe bashkëpunimin me regjisorë nga vende të ndryshme të botës, duke zgjedhur shpesh projekte të pavarura dhe jo vetëm prodhime të mëdha komerciale.
Në vitin 2006, ai mori një çmim të Akademisë Evropiane të Filmit për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në kinemanë botërore.
Në vitin 2009, Thomas u nderua nga Britania e Madhe me titullin CBE (Komandant i Urdhrit të Perandorisë Britanike) për kontributin e tij.
Projekti i tij i fundit, filmi “Bad Lieutenant: Tokyo”, i realizuar me regjisorin japonez Takashi Miike, do të shfaqet premierë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.