Në nëntor Kosova lanson platformën kombëtare të identitetit elektronik (e-ID)
Ministri Lulëzon Jagxhiu njoftoi nga Samiti Digjital i Ballkanit Perëndimor se platforma e-ID është gati për lansim në nëntor, ndërsa eKosova 2.0 do të shtojë 400 shërbime të reja, përfshirë funksionalitete të bazuara në inteligjencë artificiale.
Kosova është gati të lansojë në nëntor platformën kombëtare të identitetit elektronik (e-ID), ka njoftuar ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, nga Samiti Digjital i Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Herceg Novi, siç njofton KosovaPress.
Duke folur në panelin për identitetin digjital, inteligjencën artificiale dhe shërbimet publike proaktive, ministri Jagxhiu ka prezantuar progresin e Kosovës në transformimin digjital, duke theksuar se platforma e re do të shënojë një hap të rëndësishëm drejt identifikimit të sigurt elektronik dhe qasjes më të gjerë në shërbime digjitale. Sipas raportimit të KosovaPress, platforma do të mundësojë autentikim të sigurt, nënshkrim elektronik dhe kuletë digjitale.
Ministri ka bërë të ditur se baza digjitale e vendit është tashmë e konsoliduar: platforma eKosova ofron mbi 330 shërbime dhe numëron më shumë se 1.2 milion përdorues të regjistruar, ndërsa platforma e interoperabilitetit mundëson shkëmbimin e të dhënave ndërmjet institucioneve. Me eKosova 2.0, që po avancon, synohet të shtohen 400 shërbime të reja dhe të integrohen funksionalitete të bazuara në inteligjencë artificiale.
Sipas ministrit Jagxhiu, transformimi digjital nuk matet vetëm me numrin e shërbimeve online: përmes shërbimeve të bazuara në ngjarje jetësore po punohet që qytetarët të mos kenë nevojë të ndërveprojnë me shumë institucione për shërbime që ndërlidhen me një ngjarje të vetme jetësore, por të marrin shërbime të integruara, proaktive dhe të personalizuara.
Paralelisht, siç njofton KosovaPress, po investohet në infrastrukturën e qeverisjes së të dhënave, shkëmbimin e sigurt të tyre dhe përdorimin më të gjerë të inteligjencës artificiale në administratën publike, me qëllim që qeverisja të bëhet më e thjeshtë, më efikase dhe më e përgjegjshme ndaj qytetarëve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.