“Në privat kushton 1.100 euro”, 11 të pandehurit deklarohen të pafajshëm për ryshfet në Vushtrri
Njëmbëdhjetë persona janë deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, në rastin ku dy kirurgë të Spitalit të Përgjithshëm “Sheikh Zayed” në Vushtrri, Valdet Rexhepi dhe Ekrem Sefiju, akuzohen për marrje ryshfeti, ndërsa nëntë të tjerët dyshohen se u kanë dhënë para në këmbim të shërbimeve mjekësore.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj kirurgëve Valdet Rexhepi dhe Ekrem Sefiju për veprën penale “Marrje ryshfeti”, ndërsa Florim Veliu, Besim Grajqefci, Blerim Aliu, Fetah Xhafa, Kamer Hyseni, Labinot Kadriu, Selim Nishori, Berat Qafëleshi dhe Valdet Imeri dyshohen për veprën penale “Dhënie ryshfeti”.
Sipas aktakuzës, Rexhepi akuzohet për gjashtë raste të marrjes së ryshfetit, ndërsa Sefiju për tri raste të së njëjtës vepër penale.
Prokurorja Fetije Bajrami, gjatë paraqitjes së aktakuzës, ka përshkruar disa nga rastet në të cilat kirurgu Valdet Rexhepi dyshohet se ka kërkuar dhe pranuar para nga pacientët ose familjarët e tyre në këmbim të ofrimit të shërbimeve mjekësore.
“I pandehuri Valdet Rexhepi, më datën 04.03.2026, rreth orës 10:53, në Spitalin e Përgjithshëm ‘Sheikh Zayed’ në Vushtrri, në cilësinë e personit zyrtar, mjek kirurg, në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkon dhe pranon para në shuma të ndryshme, me qëllim që të veprojë në përputhje me detyrën e tij zyrtare për ofrimin e shërbimeve të trajtimit mjekësor për pacientët. Kështu, pranon shumën prej 100 eurosh, në dy herë nga 50 euro, nga Florim Veliu për operimin e pacientes F.V. Nga të dhënat e siguruara, pacientja F.V. është operuar nga i pandehuri dhe është regjistruar në librin e protokollit. Me këtë, ka kryer veprën penale ‘Marrje ryshfeti’, nga neni 421, paragrafi 1, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. I pandehuri Valdet Rexhepi, më datën 05.03.2026, rreth orës 10:08, në Spitalin e Vushtrrisë, në cilësinë e personit zyrtar, mjek kirurg, ka pranuar shumën prej 100 eurosh, në dy herë nga 50 euro, nga Berat Qafëleshi, përfaqësues i kompanisë farmaceutike ‘FexPharma’, me qëllim që i pandehuri t’ua përshkruajë pacientëve barin ‘Totalmix’, në mënyrë që ky bar të përshkruhet sa më shumë në raportet e pacientëve dhe, sipas porosisë, të shpërndahet sa më shumë te qytetarët. I pandehuri kësaj shume parash i referohet si pagesë për muajt janar dhe shkurt, ndërsa për muajt e tjerë ende i ka mbetur borxh. Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Valdet Rexhepi, më datën 01.04.2026, në orën 09:10, në Spitalin e Vushtrrisë, në cilësinë e personit zyrtar, mjek kirurg në repartin e kirurgjisë, në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkon dhe pranon para në shuma të ndryshme, me qëllim që të veprojë në përputhje me detyrën e tij zyrtare për ofrimin e shërbimeve zyrtare për pacientët. Kështu, pranon shumën prej 300 eurosh, një herë 100 euro dhe katër herë nga 50 euro, nga Fetah Xhafa, për caktimin e datës 08.04.2026 për operimin e vajzës së tij, e cila është operuar nga i pandehuri më 08.04.2026”, thuhet në aktakuze.
Ndërsa, sipas aktakuzës, edhe kirurgu Ekrem Sefiju dyshohet se ka kërkuar dhe pranuar para nga familjarët e pacientëve në këmbim të shërbimeve mjekësore.
“Ekrem Sefiju, mjek kirurg në repartin e kirurgjisë, në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkon dhe pranon para në shuma të ndryshme, me qëllim që të veprojë në përputhje me detyrën e tij zyrtare për ofrimin e shërbimeve të trajtimit mjekësor për pacientët. Në rastin e pacientes H.N., e cila ishte operuar, pasi njoftohet për zhvillimin e operacionit të familjares së tyre, Selim Nishori, djali i pacientes, e pyet të pandehurin: “Ku do ta kryej pagesën, këtu në zyrë apo atje, ose a mundem tek ti?”. Nga monitorimi i bisedave kuptohet se familjari i pacientes kryen pagesën ndaj të pandehurit në shumën prej 100 eurosh. I pandehuri, ndër të tjera, e falënderon dhe i thotë: “T’u rritë nera, se pagesa në privat për këto operacione është diku 1.100 euro, sa të duash”. Unë kam të dhëna se pacientja H.N. është operuar nga i pandehuri më datën 09.03.2026. Me këtë, ka kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit. Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Ekrem Sefiju, më datën 23.04.2026, rreth orës 10:57, në Spitalin e Vushtrrisë, në cilësinë e mjekut zyrtar, kirurg në repartin e kirurgjisë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar para në shuma të ndryshme. Valdet Imeri, bashkëshorti i pacientes M.I., hyn në zyrë dhe bisedon me të pandehurin, i cili i tregon për rrjedhën e operacionit të familjares. Gjatë bisedës, Imeri i thotë të pandehurit: “Pagesën a mundem me bo tash?”, ndërsa i pandehuri e konfirmon me një “Okej, kur të duash, qashtu qysh të kam thënë”. Më pas, Imeri i lë paratë në shumën prej 300 eurosh mbi tavolinë, ndërsa i pandehuri afrohet nga ana e djathtë, i merr paratë nga tavolina dhe të dy dalin nga zyra. Nga të dhënat e siguruara, pacientja M.I. është operuar nga i pandehuri më 23.04.2026”, thuhet në aktakuzë.
Në përfundim të seancës, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Izet Gërguri, i njoftoi të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre se kanë afat prej 30 ditësh për të paraqitur kundërshtime ndaj provave të cekura në aktakuzë dhe kërkesa për hudhjen e aktakuzës.
“Kryetari i trupit gjykues njoftoi të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre se, brenda afatit prej 30 ditësh nga shqyrtimi fillestar, mund të paraqesin kundërshtime ndaj provave të cekura në aktakuzë dhe kërkesë për hudhjen e aktakuzës. Nëse të akuzuarit, përmes mbrojtësve të tyre, paraqesin parashtresat e lartcekura në gjykatë, kjo e fundit do të vendosë në përputhje me dispozitat e parapara në Kodin e Procedurës Penale”, tha ai.
Valdet Rexhepi nuk është hera e parë që përballet me drejtësinë për marrje ryshfeti. Në vitin 2017, ai ishte dënuar me gjashtë muaj burgim dhe 400 euro gjobë, ndërsa më vonë dënimi me burgim i ishte zëvendësuar me gjobë prej 2.000 eurosh.
Ndërkaq, edhe Ekrem Sefiju ishte përballur më herët me masa të drejtësisë. Ai kishte qenë nën masën e arrestit shtëpiak nga 10 janari deri më 9 shkurt 2023. Po ashtu, sipas zëdhënësit të Prokurorisë, Valon Preteni, Departamenti për Krime të Rënda kishte ngritur aktakuzë më 30 korrik 2024 ndaj Sefiut për veprën penale – marrja e ryshfetit.
Të dy kirurgët ishin arrestuar më 13 maj 2026. Më 16 korrik 2026, ata ishin liruar për t’u mbrojtur në liri, pasi Prokuroria e Mitrovicës nuk kishte kërkuar vazhdimin e arrestit shtëpiak apo caktimin e një mase tjetër. /Kp/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.