Selma Blair përballet me akuza pas incidentit në avion, çfarë ndodhi me aktoren?

Aktorja amerikane Selma Blair është thirrur për t’u paraqitur para drejtësisë, pasi akuzohet për sulm ndaj pjesëtarëve të ekuipazhit gjatë një fluturimi, bëjnë të ditur autoritetet.
Aktorja e filmit “Legally Blonde” u bë objekt i një hetimi nga FBI-ja pas një incidenti të dyshuar në një avion të kompanisë Delta Air Lines, që udhëtonte nga Los Anxhelosi drejt Nju-Jorkut.
Autoritetet e aeroportit thanë se të dielën kishin marrë një njoftim për një “pasagjere që po ushtronte dhunë fizike” gjatë fluturimit. Sipas Autoritetit Portual të Nju-Jorkut, dy stjuardese u lënduan, ndërsa njëri prej tyre u dërgua në spital.
Blair, 54 vjeçe, e njohur gjithashtu për rolet në filmat “Hellboy” dhe “Cruel Intentions”, u arrestua dhe u dërgua në spital. Publicisti i saj i tha BBC-së se aktorja kishte përjetuar “një urgjencë mjekësore që çoi në sjelljen e pretenduar”.
“Pas uljes së avionit, ajo mori menjëherë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe aktualisht ndodhet në gjendje të qëndrueshme”, tha publicisti i saj.
Sipas CBS News, Blair u transportua me ambulancë drejt spitalit, ku dyshohet se goditi me shkelm një oficer policie. Prokurorët pretendojnë se, pasi mbërriti në spital, ajo sulmoi edhe një infermiere.
Pas daljes nga spitali, aktorja u dërgua në qendrën e paraburgimit në Queens. Ajo është deklaruar e pafajshme për dy akuza për sulm të shkallës së dytë, që lidhen me incidentet e pretenduara në ambulancë dhe në spital.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.