“Neve na vrau UDB-a”, Prapashtica rrëfen për rastin e Jusuf Gërvallës
Abdullah Prapashtica ka deklaruar se, sipas tij, vendimi për vrasjen e Jusuf Gërvallës nuk mund të ishte marrë nga individë apo grupe të izoluara, por vetëm nga udhëheqja e atëhershme e Jugosllavisë.
Në vazhdimin e intervistës për emisionin “Dosjet”, Prapashtica tha se vendimi, sipas tij, mund të ishte propozuar nga udhëheqja e Ministrisë së Brendshme dhe më pas të merrej nga Kryesia e Jugosllavisë, e cila ishte komandë e Forcave të Armatosura.
Ai nuk e përjashtoi mundësinë që persona shqiptarë të kishin ndihmuar në identifikimin e vendndodhjes së Gërvallës, por tha se nuk beson që shqiptarë kishin marrë pjesë në ekzekutimin e tij.
“Për ekzekutim nuk besoj që kanë qenë shqiptarë”, deklaroi Prapashtica.
Sipas tij, një nga dëshmitë që e forcon këtë dyshim është deklarata që, sipas tij, Jusuf Gërvalla e kishte bërë në momentet e fundit të jetës.
“Vet Jusufi në agoni, para vdekjes, i thotë shoqës së vet: ‘Neve na vrau UDB-a’”, tha Prapashtica.
Ai tha se Gërvalla mund ta kishte njohur një prej personave të sigurimit, të paktën nga pamja, edhe nëse nuk ia kishte ditur emrin.
Prapashtica shtoi se, sipas tij, UDB-ja nuk mund ta kishte ditur vetë se ku jetonte Gërvalla pa pasur persona që kishin zbuluar vendndodhjen e tij.
“Do të thotë ata kanë pasë njerëz që e kanë zbulu vendqëndrimin e Jusufit dhe ata kanë shku e kanë bërë pritën pranë shtëpisë së Jusufit”, deklaroi ai.
Prapashtica përmend Bozidar Spasiqin
Duke folur për autorët e atentatit, Prapashtica përmendi ish-zyrtarin e sigurimit jugosllav Bozidar Spasiqin dhe librin e tij, ku, sipas Prapashticës, përshkruhet organizimi i atentateve ndaj emigrantëve politikë.
Ai tha se Spasiqi ia atribuon vrasjen e Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës Arkanit, por Prapashtica e kundërshtoi këtë version.
“Unë mendoj që ata janë gjallë ende, ata që e kanë kryer vrasjen e Jusufit, por ky i kamuflon”, tha ai.
Sipas Prapashticës, Spasiqi ka pranuar se ka qenë në krye të një grupi që ka organizuar atentate ndaj emigrantëve jashtë Jugosllavisë.
Prapashtica përmendi edhe një rast tjetër, atë të një atentati të planifikuar ndaj emigrantit politik Emin Fazliu, duke thënë se në atë rast UDB-ja kishte përdorur një shqiptar të rekrutuar.
Sipas tij, Maliq Saka ishte arrestuar dhe rekrutuar nga UDB-ja dhe më pas ishte dërguar në Gjermani për ta vrarë Fazliun. Prapashtica tha se Saka, pasi kishte mbërritur te Fazliu, i kishte treguar atij se kishte ardhur për ta vrarë dhe më pas kishte bashkëpunuar me policinë gjermane.
“UDB-ja mund të ketë dashur ta pengojë bashkimin”
Prapashtica u pajtua me interpretimin se vrasja e Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës mund të ketë pasur për qëllim pengimin e bashkimit të organizatave shqiptare.
“Pikërisht”, u përgjigj ai.
Ai tha se pas largimit nga Shqipëria për në Gjermani, kishte vazhduar veprimtarinë e tij dhe se mbështetje kishte marrë edhe nga bashkëpunëtorë të Jusuf Gërvallës dhe Kadri Zekës.
Sipas Prapashticës, në Gjenevë, bashkëpunëtorët e Kadri Zekës kishin ndihmuar në ruajtjen e bashkimit të arritur mes organizatave.
Ai theksoi se, sipas tij, asnjëra prej organizatave që ishin bashkuar më 17 shkurt dhe më 15 maj 1982 nuk ishte larguar më pas nga LPK-ja.
“Ne e kemi ruajtur bashkimin që e kemi bërë dhe prej LPK-së nuk është ndarë asnjëra prej organizatave që janë bashkuar me 17 shkurt dhe me 15 maj 1982. Asnjëherë”, deklaroi Prapashtica.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.