Siguria ushqimore/ Ministri Salla në Kuvend: 68 mijë kontrolle dhe 95 mostra jokonforme
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla raportoi në Komisionin për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural për kontrollet e kryera gjatë vitit 2026, sigurinë ushqimore dhe masat e marra ndaj produkteve jokonforme. Në fokus ishte edhe mishi i importuar nga Brazili. Gjatë seancës dëgjimore, ministri theksoi se siguria ushqimore është një çështje e drejtpërdrejtë e shëndetit publik dhe mbrojtjes së konsumatorit.
“Siguria ushqimore nuk është thjesht një detyrim institucional dhe as vetëm një çështje inspektimesh. Ajo është, para së gjithash, çështje e shëndetit publik, e mbrojtjes së konsumatorit dhe e besimit të qytetarëve te produktet që konsumojnë çdo ditë”, deklaroi ministri.
Sipas të dhënave të paraqitura në Komision, gjatë periudhës janar–gusht 2026, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka kryer 68 872 kontrolle zyrtare, prej të cilave 8 242 inspektime në terren dhe 60 630 kontrolle në pikat e inspektimit kufitar.
Ministri tha se fokusi po zhvendoset nga numri i kontrolleve drejt identifikimit të operatorëve dhe produkteve me risk më të lartë. “Ne po kalojmë gradualisht nga një sistem që mat punën vetëm me numrin e inspektimeve dhe gjobave, drejt një sistemi që pyet: ku është risku, cili operator paraqet risk më të lartë, çfarë tregojnë analizat laboratorike dhe ku duhet të përqendrojmë kapacitetet tona?”, u shpreh ai.
Një pjesë e rëndësishme e deklaratës iu kushtua kontrolleve të mishit të importuar nga Brazili. Sipas ministrit, gjatë vitit 2026 janë marrë 44 mostra të produkteve shtazore të importuara nga vendet e treta, 30 prej të cilave ishin produkte nga Brazili, konkretisht 22 mostra mish pule dhe 8 mostra mish derri. Në dy raste të mishit të pulës nga Brazili janë konstatuar mbetje të substancave veterinare.
“Në njërin rast, sasia ishte e bllokuar dhe e izoluar në mjediset frigoriferike të operatorit; të dhënat e kontrollit tregojnë se ajo nuk kishte dalë në treg”, deklaroi ministri.
Sipas tij, rasti është raportuar përmes sistemeve RASFF dhe INFOSAN, ndërsa produkti është kthyer në vendin e origjinës. Në rastin tjetër, produkti kishte dalë në treg përpara përfundimit të verifikimit.
“U kërkua gjurmimi dhe njoftimi i klientëve dhe u morën masat administrative përkatëse”, tha ministri.
Ai bëri të ditur se nga 3 shtatori 2026 janë zbatuar ndryshimet që lidhen me listimin evropian për mishin e gjedhit dhe të shpendëve nga Brazili. Të dhënat e laboratorëve tregojnë se gjatë janarit–gushtit 2026 janë pranuar 3 337 mostra dhe janë analizuar 5 719 tregues analitikë. 95 mostra kanë rezultuar jokonforme.
“Për ne kjo ka një kuptim të qartë: kontrolli i ushqimit duhet të mbështetet gjithnjë e më shumë te prova shkencore dhe jo vetëm te verifikimi formal”, deklaroi ministri.
Ndërkohë, gjatë janarit–shtatorit, AKU ka marrë 34 njoftime përmes sistemit RASFF, ndërsa Shqipëria ka përcjellë 16 njoftime për raste të evidentuara nga kontrollet e saj.
Ministri raportoi edhe për rezultatet e laboratorit të ISUV-it. Sipas tij, auditimi i zhvilluar në shtator për mirëmbajtjen dhe zgjerimin e akreditimit sipas ISO 17025:2017 është përmbyllur pa asnjë jokonformitet. Akreditimi është ruajtur për 1 945 teste, ndërsa është zgjeruar me 354 teste të reja.
“Ky është rezultat i punës së specialistëve dhe një garanci më shumë për besueshmërinë e analizave mbi të cilat mbështeten vendimet tona”, tha ministri.
Gjatë vitit 2026, nga 904 stabilimente të planifikuara për vlerësim, janë kontrolluar 696. Sipas ministrit, 208 të tjera rezultuan të mbyllura, të pezulluara, në rikonstruksion ose të çregjistruara. Nga stabilimentet e vlerësuara, 19 janë renditur në kategorinë I, 204 në kategorinë II, 453 në kategorinë III dhe 20 në kategorinë IV. Ministria synon që deri në dhjetor 2026 të përgatisë Programin Kombëtar për Përmirësimin e Stabilimenteve të produkteve me origjinë shtazore dhe ushqimit për kafshë.
Ministri theksoi se synimi është një sistem më i shpejtë në reagim, më i saktë në kontrolle dhe më pranë standardeve evropiane. “Siguria ushqimore është e drejtë e konsumatorit, detyrim i operatorit dhe përgjegjësi e përditshme e shtetit. Për këtë përgjegjësi do të vazhdojmë të punojmë me prova, me transparencë dhe me masa të matshme”, deklaroi ai.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.