Nga Woody Harrelson te Asghar Farhadi, 25 kineastë të rinj nga Ballkani takohen në Sarajevë
Gjashtë ditë masterklasa, filma, shkëmbim idesh dhe krijim lidhjesh të reja mes artistëve nga Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Festivalit të Filmit në Sarajevë.
Njëzet e pesë kineastë dhe artistë të rinj nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor u mblodhën për gjashtë ditë në Sarajevë, ku patën mundësi të mësojnë nga disa prej emrave të njohur të kinematografisë botërore, të prezantojnë punën e tyre dhe të krijojnë kontakte për bashkëpunime të ardhshme.
Programi u zhvillua në kuadër të Konferencës së Dytë Rajonale për Bashkëpunimin Kulturor të të Rinjve, organizuar nga Laboratori Rinor i Ballkanit Perëndimor (WBYL) i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), me financim të Bashkimit Evropian dhe në bashkëpunim me Festivalin e Filmit në Sarajevë.
Pjesëmarrësit, studentë të akademive të filmit dhe arteve nga i gjithë rajoni, ndoqën masterklasa me aktorin e nominuar për Oscar Woody Harrelson, aktoren e nominuar dy herë Emily Watson, regjisorin polak dhe fituesin e Oscar-it Paweł Pawlikowski, si dhe regjisorin iranian, fitues të dy çmimeve Oscar, Asghar Farhadi.
Përveç takimeve me emrat e mëdhenj të kinemasë, programi synonte të krijonte ura mes vetë brezit të ri të artistëve të Ballkanit. Studentët morën pjesë në tryeza diskutimi me profesionistë të sektorëve kulturorë dhe kreativë, ndërsa zhvilluan edhe një panel me Sekretarin e Përgjithshëm të RCC-së, Amer Kapetanović, dhe kreun e Delegacionit të BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë, Luigi Soreca.
“Filmbërësve dhe artistëve të rinj u duhen më shumë sesa mundësi për të mësuar nga profesionistë të afirmuar. Atyre u duhen edhe hapësira ku mund të takojnë bashkëmoshatarët e tyre nga i gjithë rajoni, të shkëmbejnë ide dhe të krijojnë marrëdhënie që mund të zhvillohen në bashkëpunime të ardhshme”, tha Ognjen Marković, drejtues i ekipit të Laboratorit Rinor të Ballkanit Perëndimor.
Programi u dha të rinjve edhe mundësinë të prezantonin krijimtarinë e tyre. Filma të shkurtër të pjesëmarrësve u shfaqën gjatë një aktiviteti të posaçëm të Festivalit të Filmit në Sarajevë.
Mes tyre ishte edhe filmi Can the Blind Believe in God? i Uma Zuban, studente në Fakultetin e Arteve Dramatike në Beograd. Sipas saj, një nga vlerat kryesore të nismës ishte pikërisht takimi me artistë të së njëjtës gjeneratë nga vende të ndryshme të rajonit.
“Patëm mundësinë të mësojmë nga njëri-tjetri, të shkëmbejmë ide dhe, shpresojmë, të vazhdojmë të punojmë së bashku edhe në të ardhmen”, tha Zuban.
Konferenca synon ta kthejë bashkëpunimin kulturor rajonal nga një nocion institucional në kontakte konkrete mes të rinjve. Për gjashtë ditë në Sarajevë, kufijtë e Ballkanit u lanë jashtë sallave, ndërsa brenda tyre u fol për filma, ide dhe projekte të përbashkëta.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.