Një “mini-hënë” po rrotullohet rreth Tokës, ja çfarë do të ndodhë në dhjetor sipas shkencëtarëve!
Toka ka aktualisht një shoqërues të përkohshëm në hapësirë. Një asteroid i vogël, me diametër rreth dy metra, është kapur nga graviteti i planetit tonë dhe po sillet në orbitën e tij, duke u konsideruar si një “mini-hënë”.
Sipas astronomëve, objekti qiellor, i identifikuar me emrin 2026 QQ8, pritet të qëndrojë pranë Tokës deri në fillim të dhjetorit. Pas kësaj periudhe, ai do të largohet nga ndikimi gravitacional i planetit tonë dhe do të vijojë udhëtimin e tij në një orbitë rreth Diellit.
Sipas CNN, zbulimi i këtij asteroidi nuk ishte i lehtë. Për shkak të përmasave të vogla dhe ndriçimit shumë të dobët, astronomëve iu deshën disa javë për të përcaktuar nëse bëhej fjalë për një objekt natyror apo për një satelit artificial të dalë jashtë funksionit.
Fillimisht, objekti u zbulua në muajin gusht nga astronomi hungarez Krisztián Sárneczky, i cili e regjistroi përkohësisht me emrin Sar2901. Vetëm pas analizave të hollësishme të orbitës u kuptua natyra e tij e veçantë. Në fund të tetorit, Qendra e Planetëve të Vogël e Unionit Ndërkombëtar Astronomik e regjistroi zyrtarisht si 2026 QQ8.
Edhe pse prania e një hëne të dytë mund të duket e pazakontë, astronomët shpjegojnë se Toka mund të ketë vazhdimisht trupa të vegjël qiellorë që kapen përkohësisht nga graviteti i saj.
Matthew Payne, drejtor i Qendrës së Planetëve të Vogël, shpjegon se mesatarisht mund të ketë një objekt të tillë pranë Tokës në çdo moment. Ata mund të qëndrojnë për disa javë ose muaj, ndërsa në raste të tjera mund të mos ketë asnjë të tillë.
Sipas ekspertëve, shumica e këtyre objekteve janë shumë të vogla, lëvizin me shpejtësi dhe shpesh ndodhen në distanca që e bëjnë të vështirë zbulimin e tyre me teleskopët aktualë.
Astronomët janë të qartë se asteroidi 2026 QQ8 nuk përbën asnjë kërcënim për planetin tonë. Përmasat e tij janë aq të vogla sa, edhe nëse do të hynte në atmosferën e Tokës, do të shpërbëhej përpara se të shkaktonte dëme.
Astronomët kanë identifikuar deri më tani rreth 40 mijë objekte pranë Tokës dhe afërsisht 1.5 milion trupa qiellorë në të gjithë sistemin diellor. Megjithatë, ky numër pritet të rritet ndjeshëm.
Përmes teleskopit të pajisur me kamerën dixhitale më të madhe në botë, shkencëtarët synojnë të identifikojnë dhe katalogojnë asteroidë, kometa dhe objekte të tjera të largëta me një ritëm të paprecedentë.
Matthew Payne parashikon se, me funksionimin e plotë të këtij studimi, numri i objekteve të njohura në sistemin diellor mund të rritet nga 1.5 milionë në rreth 5 milionë.


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.