“Njeri pa asnjë lloj kontributi”, Ish-drejtuesi në SHISH: Vlora Hyseni ka pikëpyetje për të shkuarën
Ish-drejtuesi i SHISH-it, Evarist Beqiri, i ftuar në emisionin Now me Erla Mëhillin në Euronews Albania, kritikon emërimin e Vlora Hysenit në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror. Beqiri, i cili e njeh atë që nga kohat e saj në Kosovë, u shpreh se Hyseni është një person pa kontribute konkrete dhe se ngritja e saj në këtë detyrë është bërë duke shkelur çdo rregull të meritokracisë.
Ai theksoi se zgjedhja e saj lë pikëpyetje të mëdha për të shkuarën dhe fyen punën e zyrtarëve të karrierës në institucion. Sipas Beqirit, përgjegjësia kryesore për këtë vendim bie mbi Kryeministrin që e propozoi dhe Presidentin që e dekretoi, pasi institucionet dështuan të kontrollonin me kujdes figurën e saj përpara se t’i besonin drejtimin e sigurisë kombëtare.
“Kam punuar në atë institucion, unë kam ikur para pak kohësh. Po e kam fjalën që kam punuar me zonjën në fjalë, e kam njohur para se të vinte në shërbim. Kam një njohje më të hershme me të para se të vinte këtu, e kam njohur që në Kosovë, e njoh personazhin. Problemi është se ne duhet të merremi se si katapultohen këta individë në pozicione të tilla.
Si rekrutohen, si ka mundësi që një individ i tillë, me këtë nivel formimi profesional, intelektual, kulturor, a mundet që të promovohet duke shkelur me të dyja këmbët meritokracinë?
Çfarë mesazhi u jep punonjësve të shërbimit? Aty ka njerëz, ka të tjerë kolegë që i kanë dedikuar jetën punës në shërbim, punës me luftën kundër fenomeneve që cënojnë sigurinë kombëtare, dhe ti merr një njeri pa asnjë lloj kontributi, që dhe në Kosovë ka ikur me pikëpyetje dhe ka shkaktuar habi në komunitetin e inteligjencës në Shqipëri dhe Kosovë, të jeni të bindur për këtë!
Dhe e katapultuan këtu, për çfarë arsyesh? E para, është një nga personazhet më të promovuara në shqiptari sepse ka qenë drejtuese e shërbimit të Kosovës, pavarësisht se s’ka qenë e emëruar drejtoreshë, por ka qenë ushtruese e detyrës ose komanduar si thonë ata, kishte zëvendësdrejtoreshë. Dhe në Shqipëri kaq e zonja ishte kjo Vlora Hyseni, sa të drejtonte dy shërbimet tona?
Shikoni rregullat që kanë të gjitha shtetet, sa edhe brenda aleancave sa xhelozë janë për shërbimet, si i trajtojnë shërbimet, me sa kujdes, me sa merak! Ndërkohë ne marrim individë të tillë, pavarësisht se ishte kjo apo dikush tjetër, puna është: a funksionojnë rregullat edhe standardet? A është bërë një kontroll kësaj të shkuarës së kësaj, se kjo ka pasur pikëpyetje për të shkuarën?
Institucionet që duhet të merreshin me këtë punë dhe duhet të informonin ky individi që e propozoi dhe ai tjetri. Patjetër që Presidenti, që të dy kanë përgjegjësi. Përflitet dhe kush ia ka rekomanduar. Patjetër e ka njohur dhe vetë, dhe përgjegjësia bie mbi atë. Pavarësisht se kush ia rekomandon, ai e ka bërë propozimin se ia jep Kushtetuta, që të bëjë propozimin dhe dekretohet nga Presidenti i Republikës. Të dy kanë përgjegjësi. Është një institucion që varet dhe punon për Kryeministrin, por dhe për Presidentin, i informonte të dy”, u shpreh ish-drejtuesi në SHISH.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.