OVL e UÇK-së vendos: Protesta të premten në të gjithë Kosovën, në ora 17:00
OVL e UÇK-së do të protestojë të premten në të gjitha qytetet ku ka degë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka vendosur të organizojë protesta të premten, në orën 17:00, në të gjitha qytetet e Kosovës ku ka degë dhe struktura të saj. Vendimi u mor pas një takimi me kryetarët e degëve, ku në qendër të diskutimeve ishte mbrojtja e vlerave të luftës çlirimtare dhe mbështetja për ish-krerët e UÇK-së.
Sipas vendimit, dega e Prishtinës do t’i bashkohet organizimit të protestës së mbrëmjes, e cila do të nisë në orën 21:00. OVL e UÇK-së fton institucionet komunale dhe të gjithë qytetarët e Kosovës që t’u bashkohen protestave, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe vlerave të luftës çlirimtare.
Në njoftimin e saj, organizata thekson se përkrah dhe do të përkrahë çdo protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, për aq kohë sa ato janë paqësore dhe nuk cenojnë rendin kushtetues.
Gjithashtu, OVL e UÇK-së u bën thirrje të gjithë spektrit politik, shtetëror dhe kombëtar që të jetë i bashkuar dhe sa më shpejt të nisë hartimin e një strategjie kombëtare, e cila do të garantonte mbështetje të plotë për ish-krerët e UÇK-së deri në vendimin e Apelit.
Burimi: Klan Kosova



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.