OVL-UÇK: Askush nuk mund ta lidhë flamurin e UÇK-së me dhunën, shkatërrimin dhe plaçkitjet
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka dënuar përdorimin e flamurit me simbolin e UÇK-së në akte vandalizmi, duke theksuar se ky simbol nuk duhet të lidhet me dhunën, shkatërrimin apo plaçkitjet.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, OVL-UÇK ka thënë se flamuri i UÇK-së përfaqëson Luftën Çlirimtare të Kosovës, dëshmorët e kombit dhe lirinë e fituar përmes sakrificës.
Sipas kësaj organizate, simboli i UÇK-së nuk mund të përdoret për të justifikuar apo fshehur veprime që dëmtojnë pronën publike dhe private.
“Si i tillë, kurrë nuk mund të përdoret për të justifikuar, identifikuar apo fshehur veprime që dëmtojnë pronën publike apo private”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.
Organizata ka theksuar se çdo qytetar ka të drejtën e protestës, por ka vlerësuar se pakënaqësitë, pavarësisht sa të mëdha janë, nuk mund të shërbejnë si arsyetim për lidhjen e flamurit të UÇK-së me veprime të dhunshme.
“Çdo qytetar ka të drejtën e protestës, por asnjë pakënaqësi, sado e thellë të jetë, nuk i jep të drejtë askujt ta lidhë flamurin e UÇK-së me dhunën, shkatërrimin dhe plaçkitjet”, thuhet më tej në reagim.
Në fund, OVL-UÇK u ka bërë thirrje organizatorëve dhe pjesëmarrësve të protestave që të tregojnë kujdes dhe të ruajnë dinjitetin e simbolit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“U bëjmë thirrje të gjithë organizatorëve dhe pjesëmarrësve të protestave, të ruajnë dinjitetin dhe shenjtërinë e këtij simboli”, përfundon reagimi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.