BE-ja DISKUTON ZGJERIMIN, IRLANDA: MALI I ZI ËSHTË SHUMË AFËR ANËTARËSIMIT
Foto: BE
Zgjerimi i Bashkimit Evropian është një nga temat që po diskutohet në mbledhjen e Këshillit Evropian në Bruksel, ku liderët kanë vlerësuar përparimin e Malit të Zi dhe Shqipërisë në procesin e integrimit.
Kryeministri i Irlandës, Micheál Martin, vendi i të cilit mban presidencën e Këshillit të BE-së, deklaroi se Mali i Zi është shumë afër anëtarësimit të plotë në familjen evropiane, ndërsa theksoi nevojën për të shfrytëzuar mundësinë e krijuar për avancimin e procesit të zgjerimit.
„Në qasjen e bazuar në meritë, Mali i Zi është shumë afër anëtarësimit të plotë në familjen evropiane. Po ashtu, po bëjmë përparim me Shqipërinë dhe vendet e tjera kandidate. Të gjithë ne brenda BE-së kemi detyrimin që ta bëjmë të suksesshëm procesin e zgjerimit“, deklaroi Martin.
Ndërkohë, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, theksoi se çështjet dypalëshe nuk duhet të pengojnë procesin e zgjerimit.
Sipas saj, BE-ja duhet ta trajtojë zgjerimin si një proces më vete, duke marrë parasysh rëndësinë e forcimit të Evropës dhe të sigurisë së saj përmes integrimit të vendeve kandidate.
Kallas bëri të ditur gjithashtu se ministrat e jashtëm të vendeve anëtare kanë diskutuar mbi ndikimin që do të ketë zgjerimi në sigurinë e Bashkimit Evropian.
Në tryezën e liderëve janë edhe propozimet e komisioneres evropiane për zgjerimin, Marta Kos, që synojnë thjeshtimin e procesit të anëtarësimit.
Diskutimet zhvillohen në një kohë kur Mali i Zi dhe Shqipëria synojnë të përshpejtojnë rrugën drejt anëtarësimit në BE.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.