OVL-UÇK thërret tubim të hënën në orën 12:00 para Kuvendit për Ligjin e Speciales
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka bërë të ditur se të hënën, më 5 tetor, nga ora 12:00, do të mblidhet para Kuvendit të Kosovës, duke i ftuar edhe qytetarët të marrin pjesë dhe të shprehin pakënaqësinë ndaj pushtetit që nuk po voton menjëherë në të dy leximet plotësimet dhe ndryshimet e Ligjit për Gjykatën Speciale, siç njofton KosovaPress.
“Pas dështimit të arritjes së një marrëveshjeje politike për votimin e menjëhershëm të plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për Gjykatën Speciale, si dhe pas lojës së vazhdueshme politike e procedurale të Albin Kurtit me një çështje kaq të ndjeshme, durimi i veteranëve të UÇK-së dhe i qytetarëve të Kosovës po merr fund”, thuhet në njoftimin e organizatës.
Sipas OVL-UÇK-së, afati për arritjen e një marrëveshjeje politike dhe procedurale që do të mundësonte votimin e menjëhershëm të të dy leximeve është vetëm deri nesër, e diel. “Nëse deri nesër nuk ka dakordim, nga e hëna veteranët e UÇK-së do t’i përshkallëzojnë veprimet e tyre”, paralajmëron njoftimi.
Organizata thotë se kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së janë “thellësisht të indinjuara” me qasjen e kryeministrit Kurti, i cili sipas saj po bën kalkulime politike “edhe me dhimbjen, sakrificën dhe dinjitetin e qytetarëve të Kosovës”. “Veteranëve dhe qytetarëve të Kosovës u është shterur durimi”, përfundon njoftimi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.