Pacolli e LVV-së: Presidenti nuk është president i një partie, është i Republikës
Fitore Pacolli nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë sot për zgjedhjen e presidentit të vendit nuk mjafton vetëm vullneti i një partie apo i një shumice parlamentare.
Ajo thekson se Kushtetuta dhe vetë natyra e këtij posti kërkojnë një qasje që e përfshin edhe opozitën.
“Presidenti nuk është president i një partie. Është president i Republikës. Prandaj, propozimi i kandidatit duhet të jetë rezultat i një dialogu serioz politik, ku shumica dhe opozita parlamentare duhet të ulen në një tavolinë dhe të kërkojnë emrin që mund të kapërcejë interesat e ngushta partiake”, shkruan ajo.
Sipas saj, opozita nuk duhet dhe nuk mund ta trajtojë procesin vetëm si mundësi për ta bllokuar shumicën.
“Kosova ka nevojë për një president që del nga një marrëveshje që i jep legjitimitet më të gjerë institucionit të Presidentit. Në këtë proces, përgjegjësia është e të gjithëve.
Në fund, nuk është çështja vetëm kush do të zgjidhet president, por si do të zgjidhet dhe çfarë legjitimiteti do të ketë ai president. Tani është koha që opozita të tregojë nëse është opozitë e Republikës apo opozitë e bllokadave”, shkruan Pacolli. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.