“Pakënaqësia nuk zgjidhet me plumba dhe shkopa gome”, ish-Prokurori: Të mbahet përgjegjësi
Ish-prokurori Eugen Beçi, duke folur për “Now”, ka komentuar protestat që po zhvillohen prej 14 ditësh në Tiranë, të shoqëruara me tensione dhe përplasje fizike.
Beçi theksoi se është e rëndësishme të bëhet dallimi mes protestuesve paqësorë dhe atyre që përdorin dhunën, dhe vë në dukje mënyrën se si policia ka menaxhuar situatën. Sipas tij, reagimi i shtetit mund të ndikojë në përshkallëzimin e protestave.
“Duhet të dallojmë protestat që synon qeverisë t’i shtyjë diçka dhe protestat e dhunshme. Këto protesta gjithmonë kanë filluar me idenë që t’i shty qeverisë ta dëgjojë edhe protestat e tyre dy javët fundit dhe ata si do e kërkojnë?
E kërkojnë me bllokim rrugësh. Mënyra se si ti si shtet reagon për të nxitur atë spiralen e famshme të dhunës mund të çojë në një protestë të dhunshme. Pyetja që lind është policia gjatë gjithë kësaj kohe a ka identifikuar 10 protestues paqësorë dhe dy të dhunshëm apo të 12 i ka quajtur të dhunshëm dhe i ka goditur. Ky është thelbi dhe pastaj nuk mund të biem dakort në gjithçka që protesta nuk realizon asgjë.
Në rast se një protestë bllokon rrugët, paralizon qytetin patjetër një qeveri e përgjegjshme duhet të reagojë me zgjidhje politike dhe nuk mund ta themi që absolutisht nuk arrihet asgjë”, tha ai.
Sipas ish-prokurorit Eugen Beçi, protestat e fundit nuk duhen parë thjesht si çështje e rendit publik, por si një problem politik dhe social që kërkon zgjidhje.
Beçi nënvizoi se një qeveri e përgjegjshme duhet të reagojë ndaj kërkesave të protestuesve, edhekur ato shoqërohen me bllokime rrugësh.
“Këtu ka dhe një problem të madh social se duket sikur e shohim nga larg, por konflikti që është sa juridik aq dhe social. Qeveria nuk kujdeset t’i qetësojë këta njerëzit që janë në shtëpi por qeveria kujdeset t’u thotë s’kam faj unë e kanë ata protestuesit. Po ty për çfarë të kam zgjedhur? Të kam zgjedhur që ti të zgjidhësh një konflikt apo një problem të tillë dhe në rast se këta protestues bëhen problem do shkojmë te problemi më i madh që e kam thënë dhe e them nuk është problemi i rendit publik është problem i politikës.
Ama dhe në Serbi u zgjidh zgjidhja ishin zgjedhjet në fund fare. Patjetër që dhe të gjitha këto protesta do nxjerrin një lider, do nxjerrin një organizim, do nxjerrin një organizator dhe unë nuk kam dëgjuar fare edhe nga këto protesta për mënyrën se si do qasen nesër për zgjedhje të parakohshme. Është dhënë prova që edhe në 97ën pati rrëmuja dhe protesta të cilat patjetër prodhuan një zgjidhje”, shtoi ish-prokurori.
Gjithashtu, Beçi ka ngritur mundësinë që protestat e vazhdueshme të çojnë drejt kërkesave për zgjedhje të parakohshme, në menyre që qytetarët të marrin përgjigje politike.
Ai tha se protestat mund të nisin në mënyrë paqësore dhe se është detyrë e policisë të identifikojë personat e dhunshëm.
“Duhet ta shohim problemin në sy në rast se një grup social është i pakënaqur me ty qoftë 13 vjeç qoftë 17 vjeç nuk zgjidhet me shkopin e gomës dhe me plumbin e gomës zgjidhet me zgjidhje politike dhe zgjidhjet politike patjetër që tentojnë të tregojnë që ti marrëveshjen me popullin shqiptar që e ke lidhur para katër vjetësh ose në ditën e zgjedhjeve nuk po e zbaton me një grup e tyre dhe kur marrëveshja nuk zbatohet patjetër që kontrata prishet dhe kontrata, e cila nënkupton një zgjedhje të parakohshme.
Zgjedhjet e parakohshme çfarë nënkuptojnë? Nuk vjen kataklizmoja se iku apo erdhi një person. Dhe njëherë duhet të kuptojmë që protesta mund të fillojë si një protestë paqësore. Është detyrë e shtetit të identifikojë protestuesit e dhunshëm, t’i identifikojë rusët e Vuçiçit , spanjollët e dikujt tjetër se këtu po na dalin gjithmonë të huaj dhe asnjëherë nuk po na del fakti që ore a ka pakënaqësi ky populli shqiptar”, tha Beçi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.