RIK miraton rezultatet preliminare: Lista Studentore 140 mandate, Koalicioni Shqiptar dy
Komisioni Republikan i Zgjedhjeve miratoi të hënën në mbrëmje rezultatet preliminare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare: Lista Studentore ka 52,71 për qind të votave dhe 140 mandate, Serbia e Bashkuar 39,17 për qind dhe 104 mandate, ndërsa Koalicioni Shqiptar konfirmohet me dy mandate.
Komisioni Republikan i Zgjedhjeve (RIK) i Serbisë miratoi të hënën në mbrëmje, në seancën e tij të 70-të, rezultatet preliminare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 25 tetorit. Siç njofton portali Tri K, kryetari i RIK-ut, Vladimir Dimitrijević, i paraqiti rezultatet mbi bazën e procesverbaleve të përpunuara nga 8.187 vendvotime, të përpunuara deri në orën 20:00 të së hënës.
Sipas të dhënave të paraqitura, Lista Studentore – “Studentët fitojnë” ka marrë 2.267.615 vota, përkatësisht 52,71 për qind, dhe sipas ndarjes preliminare i takojnë 140 mandate në Kuvendin prej 250 vendesh. Lista “Aleksandar Vučić – Serbia e Bashkuar” ka marrë 1.685.022 vota, përkatësisht 39,17 për qind, dhe 104 mandate.
Mandate kanë fituar edhe listat e pakicave: Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës dhe Koalicioni Shqiptar nga dy mandate secila, ndërsa listat “Rasim Ljajić – Ljudski”, me 20.544 vota ose 0,48 për qind, dhe “SDA e Sanxhakut – Ruajtësit e Sanxhakut” e Sulejman Ugljaninit, me 12.399 vota ose 0,29 për qind, kanë nga një mandat secila. Lista e Usame Zukorlićit, me 11.852 vota ose 0,28 për qind, mbetet pa mandat, siç njofton Tri K.
Lista “Ivica Dačić – Faktori i stabilitetit”, me 2,17 për qind të votave, nuk e ka kaluar pragun zgjedhor prej 3 për qind dhe mbetet jashtë Kuvendit. Sipas raportimit të Tv Palma Plus, në materialin e përpunuar figurojnë 6.253.475 votues të regjistruar, në zgjedhje kanë dalë 4.304.641 votues, kanë votuar 4.301.985, prej të cilëve 4.246.513 fletëvotime kanë qenë të vlefshme dhe 55.472 të pavlefshme.
Rezultatet janë preliminare dhe RIK-u pritet t’i shpallë rezultatet përfundimtare pas përfundimit të të gjitha procedurave zgjedhore.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.