Paralajmërimet për erëra të forta, Inspektorati i Punës kërkon masa të shtuara për sigurinë e punëtorëve
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka paralajmëruar se të enjten, më 19.11.2026, parashihen erëra të forta me shpejtësi 30 deri në 45 kilometra në orë.
Nisur nga ky fakt, Inspektorati Qendror i Punës (IQP) u bën thirrje të gjithë punëdhënësve që të ndërmarrin masa të shtuara për mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit të punëtorëve në vendet e punës.
“Vëmendje e veçantë kërkohet në sektorin e ndërtimtarisë dhe në të gjitha veprimtaritë që zhvillohen në ambiente të hapura, veçanërisht gjatë punëve në lartësi, në skela, kulme dhe hapësira të ekspozuara ndaj ndikimit të erërave”- thuhet në njoftim.
IQP-ja u bën thirrje punëdhënësve që të mos lejojnë zhvillimin e aktiviteteve të punës kur kushtet atmosferike paraqesin rrezik për punëtorët.
Siguria dhe shëndeti i punëtorëve, sipas IQP-së, duhet të mbeten prioritet në çdo rrethanë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.