Kurti në “From Opportunity to Investment”: Një miliard euro për prodhimtari, investime dhe punësim
Në Prishtinë po mbahet eventi “From Opportunity to Investment”, i cili ka mbledhur përfaqësues të institucioneve, bizneseve dhe ekspertë të fushave të ndryshme për të diskutuar mbi mundësitë e investimeve dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Fjalën hyrëse në këtë event e ka mbajtur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka folur për agjendën njëmiliardëshe, e cila tashmë shënon një vit nga prezantimi i saj.
Kurti ka falënderuar bashkëthemeluesit e Data4X, Flandra Marmullakun dhe Shpend Ahmetin, për angazhimin në këtë agjendë, duke theksuar se ajo përputhet edhe me zotimet e tij për mandatin e ardhshëm.
“Një miliard euro për prodhimtarinë, përkatësisht garanci shtetërore për kreditë, investime për të gjithë ata që duan të prodhojnë, punësojnë dhe zhvillojnë”, ka deklaruar Kurti.
Ndërkaq, bashkëthemeluesi i Data4X, Shpend Ahmeti, ka folur për pozitën e Kosovës në tregun e pijeve freskuese dhe ujit në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se vendi renditet ndër furnizuesit kryesorë të këtij rajoni.
“Në pije freskuese dhe ujë, jemi numër dy si furnizues të Ballkanit Perëndimor. Jemi më mirë se Bosnja, jemi më mirë se Maqedonia e Veriut. Serbia është vendi i parë, për shkak se ka edhe shumë brende të huaja që e kanë përfaqësinë në Serbi”, ka deklaruar Ahmeti.
Në fokus të këtij takimi janë financimi i investimeve, bashkëpunimi ndërmjet sektorit publik dhe atij privat, si dhe sfidat që duhet të tejkalohen për të krijuar më shumë mundësi për bizneset.
Pjesëmarrësit po diskutojnë për mënyrat se si mundësitë ekonomike të Kosovës të shndërrohen në investime konkrete, duke nxitur prodhimtarinë dhe krijimin e vendeve të reja të punës. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.