Paralizohet transporti ajror në SHBA, afro 7 mijë fluturime të anuluara
Rreth 7 mijë fluturime janë vonuar ose anuluar në Shtetet e Bashkuara pasi Administrata Federale e Aviacionit (FAA) urdhëroi ndalimin e nisjeve në të gjitha aeroportet e vendit.
Masa e jashtëzakonshme u mor për arsye sigurie, pas një problemi komunikimi që preku të gjitha qendrat e kontrollit të trafikut ajror. Numri i fluturimeve të vonuara apo të anuluara pritet të rritet ndërsa ndërprerjet vijojnë.
Urdhri i FAA-së kërkon që të gjithë avionët që presin të nisen të qëndrojnë në tokë deri në një njoftim të mëtejshëm. Fluturimet ndërkombëtare që mbërrijnë në SHBA do të menaxhohen rast pas rasti.
Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, konfirmoi problemin e komunikimit dhe njoftoi se teknikët e FAA-së po hetojnë shkakun. Ai nuk dha një afat për rikthimin e funksionimit normal.
Sipas Fox News, një masë e tillë për ndalimin e nisjeve në shkallë kombëtare është ndërmarrë vetëm një herë tjetër që prej sulmeve të 11 shtatorit 2001.
Në njoftimin fillestar të cituar nga Fox News, FAA përmendte “rrethana të jashtëzakonshme dhe arsye sigurie”, pa dhënë hollësi mbi shkakun. Më pas, Duffy sqaroi se ndërprerja lidhej me komunikimin në qendrat e kontrollit të trafikut ajror.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.