Pas Adnan Xholit, edhe Rovena Zoto në garë për Kryeprokurore! Aplikimet mbyllen më 1 Gusht
Pas Adnan Xholit, në garën për postin e Prokurorit të Përgjithshëm është shtuar një tjetër kandidaturë. Rovena Zoto ka dorëzuar aplikimin e saj, duke e çuar në dy numrin e kandidatëve që kanë shprehur interesin për këtë pozicion.
Zoto ka ushtruar detyrën si prokurore në Prokuroritë e Lushnjës dhe Fierit, ndërsa prej vitit 2021 është pjesë e Prokurorisë së Tiranës.
Afati për dorëzimin e kandidaturave për Prokuror të Përgjithshëm përfundon më 1 gusht, në orën 00:00. Pas mbylljes së aplikimeve, anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë do të kenë afat deri më 14 gusht për të verifikuar kandidatët dhe për të përcaktuar se cilët prej tyre plotësojnë kushtet dhe kriteret ligjore.
Prokurori i SPAK, Adnan Xholi, ishte kandidati i parë që shprehu interesin për të garuar për këtë post. Ai dorëzoi në KLP aplikimin së bashku me platformën e tij, ku ka paraqitur vizionin për drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme.
Kjo është hera e parë që Xholi kandidon për postin e kryeprokurorit, ndërsa më herët ka garuar dy herë për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, por nuk ka arritur të sigurojë shumicën e votave të nevojshme.
Prokurori i SPAK ka mbajtur më herët poste drejtuese në prokuroritë lokale, si dhe për shumë vite ka qenë prokuror pranë ish-Prokurorisë për Krime të Rënda. Në SPAK ka ushtruar edhe detyrën e shefit të seksionit kundër krimit të organizuar dhe është njohur për hetimin e disa dosjeve të zbardhura nga komunikimet në aplikacionin SKY ECC.
Sipas ligjit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë përzgjedh dhe i propozon Kuvendit të Republikës tre kandidatura për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, i cili merr një mandat 7-vjeçar.
Kryeprokurori i ri do të zëvendësojë Olsian Çelën, të cilit i përfundon mandati në dhjetor të këtij viti.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.