Përkeqësimi i motit/FA në gatishmëri, Bashkitë të marrin masa urgjente
Forcat e Armatosura janë në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë në rast nevoje tek zonat që mund të preken nga përmbytjet.
Lajmin e bëri me dije Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, sot në një konferencë për mediat ku tha se Forcat e Armatosura janë gati të ndërhyjnë në rast nevoje për të qenë pranë banorëve.
Sipas saj, kushtet e atmosferike mund të sjellin përmbytje prandaj dhe institucionet lokale dhe qendrore po marrin masa maksimale për të parandaluar pasojat negative nga përmbytjet e mundshme.
Ministrja Xhaçka shtoi se, qeveria ka kërkuar nga institucionet e pushtetit lokal, Bashki e Prefekturë marrjen e masave urgjente për ti bërë ballë situatës.
Sipas saj, janë në gatishmëri të plotë institucionet lokale e qendrore për të parandaluar problematika të ndryshme që mund të vijnë nga përmbytjet.
“Institucionet shtetërore janë duke bërë rifreskime të situatës orë pas ore. Janë porositur të gjithë prefektët e qarqeve, drejtuesit e Bashkive për marrjen e masave urgjente për përballimin e çdo situate emergjente për garantimin e jetesës normale të komunitetit. Jemi duke diskutuar me ministritë e linjës për të garantuar furnizimin me ujë dhe energji, si dhe të punohet për mundësimin e kullimit të ujërave. Po punohet me Ministrinë e Transporteve për lëvizjen e mjeteve në rrugë”, tha ministrja Xhaçka.