Përmbytje në Nepal, 5 persona të zhdukur dhe dhjetëra shtëpi të shkatërruara
Përmbytje të menjëhershme kanë goditur Nepalin qendror të dielën, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe duke lënë të paktën pesë persona të zhdukur. Ngjarja vjen vetëm disa javë pas përmbytjeve shkatërruese që morën qindra jetë në vend.
Sipas autoriteteve, përmbytjet goditën distriktin Gorkha, ku rrjedha e ujit, e mbushur me baltë dhe mbeturina, përfshiu zona të banuara dhe shkatërroi dhjetëra banesa.
Kreu i agjencisë kombëtare për fatkeqësitë natyrore, Dharam Raj Uprety, bëri të ditur se shkak i përmbytjeve dyshohet të jetë bllokimi i lumit nga një rrëshqitje dheu, e cila më pas u shemb duke lëshuar një sasi të madhe uji.
“Pesë persona janë të zhdukur”, deklaroi Uprety.
Sipas të dhënave paraprake, rreth 45 shtëpi janë rrëmbyer nga rrjedha e ujit. Përmbytjet kanë dëmtuar gjithashtu tre projekte hidroelektrike dhe katër ura, duke vështirësuar qarkullimin dhe ndërhyrjen e ekipeve të emergjencës.
Autoritetet bëjnë të ditur se të paktën 82 persona, mes tyre nëntë shtetas të huaj, janë shpëtuar nga zonat e prekura.
Për të mbështetur operacionet e kërkim-shpëtimit dhe evakuimit, në terren janë angazhuar katër helikopterë. Ndërkohë, niveli i ujit në lumin Budhi Gandaki vijon të rritet, duke shtuar shqetësimet për përmbytje të tjera.
Autoritetet kishin lëshuar më herët një paralajmërim, duke u bërë thirrje banorëve që të largoheshin nga brigjet e lumit dhe të zhvendoseshin në zona më të sigurta.
Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë, ndërsa mbetet e paqartë shkalla e plotë e dëmeve të shkaktuara nga kjo fatkeqësi natyrore.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.