Çerimagiq: Vulin e lidh mbështetjen e Putinit për Vuçiqin me bashkimin e serbëve në “Botën Serbe”
Analisti boshnjak Adi Çerimagiq ka analizuar deklaratat e Aleksandar Vulinit, ish-ministër i Mbrojtjes dhe ish-shef i inteligjencës serbe, i cili mbështetjen e presidentit rus, Vladimir Putin, për Aleksandar Vuçiqin e ka lidhur drejtpërdrejt me projektin e bashkimit të serbëve nën konceptin e “Botës Serbe”.
Në një postim lidhur me një intervistë të Vulinit, Çerimagiqi konsideron se ky i fundit e ka paraqitur mbështetjen e Putinit jo vetëm si përkrahje për Vuçiqin, të cilin presidenti rus e sheh si kryeministër të ardhshëm të Serbisë, por edhe si mbështetje për bashkimin e serbëve që jetojnë në shtete të ndryshme.
Gjatë intervistës, Vulin ka përshëndetur deklaratat e Putinit se serbët janë një popull i ndarë padrejtësisht në disa shtete dhe se, sipas presidentit rus, po ndëshkohen për një faj që nuk e kanë kryer.
“Kjo nuk ishte mbështetje vetëm për presidentin Vuçiq (…). Kjo është mbështetje për konceptin e Botës Serbe, është mbështetje për bashkimin e serbëve”, ka deklaruar Vulin.
Sipas përshkrimit të Çerimagiqit, Vulin ka vlerësuar se ndryshimet në rendin ndërkombëtar po krijojnë mundësi që ideja e bashkimit të serbëve të mos duket më e paimagjinueshme.
“Bota po ndryshon. Ajo që deri dje ishte e paimagjinueshme, që serbët të bashkohen, tani është shumë e imagjinueshme”, ka thënë Vulin.
Ish-zyrtari serb, i cili ka fajësuar presionin e Bashkimit Evropian për faktin se nuk mban aktualisht ndonjë post qeveritar, ka bërë të ditur se kandidimi i tij për president lidhet me synimin për ta shndërruar mbështetjen ruse në veprime konkrete.
“Është në dorën tonë dhe të kësaj gjenerate politikanësh të bëjmë gjithçka që mbështetjen e presidentit Putin, atë mbështetje të hapur për unitetin e popullit serb, ta shndërrojmë në realitet”, ka deklaruar ai.
Vulin ka paraqitur edhe një plan politik me dy hapa: fillimisht, qytetarët duhet të votojnë për listën e udhëhequr nga Vuçiqi në zgjedhjet parlamentare në Serbi, ndërsa më pas duhet të zgjedhin një president që do të luftojë për “Botën Serbe” përmes bashkimit të të gjithë serbëve. Ai e ka bërë të qartë se synon të jetë vetë ai presidenti që do ta udhëheqë këtë proces.
Çerimagiqi tregon se si Vulin e ndërthur mbështetjen e Moskës për udhëheqjen aktuale serbe me një projekt politik që synon bashkimin e serbëve përtej kufijve shtetërorë.
Koncepti i “Botës Serbe” lidhet me idenë e forcimit të lidhjeve politike dhe kombëtare mes serbëve që jetojnë në shtete të ndryshme të rajonit. Megjithatë, synimi i deklaruar për bashkimin e tyre ngre shqetësime për sovranitetin dhe integritetin territorial të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në një rajon ku çështjet e kufijve dhe marrëdhëniet ndëretnike mbeten veçanërisht të ndjeshme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.