Kurti viziton familjet e Salih Mëziut dhe Idriz Rrecajt, mbetjet mortore të të cilëve u gjetën në Zubin Potok
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar familjet e veprimtarëve Salih Mëziu dhe Idriz Rrecaj, të cilët u rrëmbyen dhe u zhdukën me dhunë nga forcat e armatosura serbe në prill të vitit 1999.
Kurti bëri të ditur se vizitat u zhvilluan në Marinë dhe Llaushë të Skenderajt, pasi mbetjet mortore të dy veprimtarëve u gjetën në një varrezë masive në Zubin Potok dhe u identifikuan javë më parë përmes analizave të ADN-së.
Mëziu dhe Rrecaj ishin pjesë e të ashtuquajturit “Grupi i Intelektualëve”, anëtarët e të cilit u rrëmbyen dhe u zhdukën gjatë luftës në Kosovë.
“Sot në Marinë dhe në Llaushë të Skenderajt vizituam familjet e veprimtarëve Salih Mëziu dhe Idriz Rrecaj, pjesë e ‘Grupit të Intelektualëve’ të rrëmbyer dhe të zhdukur me dhunë nga forcat e armatosura të Serbisë në prill të vitit 1999”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se familjet e Mëziut dhe Rrecajt, sikurse familja e Adem Beqirit, i cili u varros më 3 tetor, tashmë kanë marrë përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre, por ende presin drejtësi.
Kurti ka rikujtuar se më shumë se 1.500 persona vazhdojnë të figurojnë të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë, ndërsa familjet e tyre përballen me dhimbjen dhe ankthin e pritjes.
Ai ka kërkuar trysni ndërkombëtare ndaj Serbisë, duke e akuzuar atë për fshehjen dhe mohimin e krimeve të luftës, si dhe për mbrojtjen dhe glorifikimin e kriminelëve.
Sipas Kurtit, presioni ndërkombëtar është i domosdoshëm për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë dhe për vënien e drejtësisë në vend.
“Për më të dashurit e më shumë se 1.500 personave tjerë ende të zhdukur nga lufta e fundit, dhimbja është tejet e madhe, ndërsa pritja përplot ankth”, ka shkruar Kurti, duke theksuar nevojën për trysni ndërkombëtare ndaj Serbisë.
Ai ka kritikuar gjithashtu qasjen e autoriteteve serbe ndaj krimeve të luftës, duke thënë se Serbia vazhdon t’i fshehë dhe mohojë ato, ndërsa mbyll dhe klasifikon dosjet.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.