Dy alpinistë të huaj shpëtohen në Piribeg të Malit të Sharrit
Aksioni i shpëtimit u koordinua nga Qendra për Menaxhim me Kriza, me ndihmën e shërbimit kosovar të kërkim-shpëtimit në mal.
Dy shtetas të huaj që po ngjiteshin drejt majës Piribeg (2.524 metra) në Malin e Sharrit, pranë kufirit maqedono-kosovar, u surprizuan nga shiu dhe mjegulla e dendur dhe u detyruan të strehoheshin në një objekt malor në territorin maqedonas, pranë kufirit me Kosovën. Njoftimi për rastin mbërriti në orën 08:22 të mëngjesit në numrin e emergjencës 112, siç njofton Fokus.
Qasja nga ana maqedonase është e mundur vetëm në këmbë, mbi gjashtë orë ecje në një drejtim, ndërsa helikopteri nuk mund të përdorej për shkak të mjegullës dhe shiut, sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza (CUK). Për këtë arsye u vendos që shpëtimi të realizohej nga ana kosovare, ku ekziston rrugë e hapur nga qendra e skive Brezovica deri te objekti ku ishin strehuar alpinistët.
CUK-i koordinoi aksionin dhe në orën 11:45 vendosi kontakt të drejtpërdrejtë me njërin prej dy alpinistëve. Në orën 14:21 shpëtimtarët kosovarë konfirmuan se të dy ishin në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa në orën 16:50 CUK-i mori konfirmimin përfundimtar se të dy ishin gjetur dhe po transportoheshin të sigurt drejt Shtërpcës në Kosovë.
Në koordinimin e aksionit morën pjesë Qendra Rajonale e Menaxhimit me Kriza në Tetovë, Stacioni Policor Tearcë, Qendra e Emergjencave në Tetovë, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim – Njësia Rajonale Tetovë, NP „Pyjet Kombëtare“ – dega Tetovë dhe Shërbimi kosovar për kërkim-shpëtim në mal.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.