Përplasje për “Territorialen”, Boçi: Të zgjatet me 3 muaj afati, nuk ka përfunduar punën. Balla: Procesi nuk mund të rikthehet pas
Kërkesa e Partisë Demokratike për zgjatjen e mandatit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale është rrëzuar në Kuvend. PD kërkoi shtyrjen e afatit me argumentin se puna e komisionit nuk kishte përfunduar dhe se nuk mund të hartohej një raport pa një produkt përfundimtar, ndërsa mazhoranca kundërshtoi duke deklaruar se procesi e kishte mbyllur mandatin dhe nuk mund të rikthehej pas. Në fund, Kuvendi e hodhi poshtë kërkesën e opozitës me 82 vota kundër.
Bashkëkryetari i komisionit nga radhët e opozitës, deputeti demokrat Luçiano Boçi, deklaroi se afati i përcaktuar ka përfunduar, por procesi nuk është mbyllur ende.
“Komisioni i territoriales është në mes të punës së tij dhe ka kryer vetëm një pjesë të kësaj pune. Koha ka përfunduar, por nuk ka përfunduar puna. Nuk mund të ketë një raport komisioni kur ky komision nuk ka produktin e tij”, tha Boçi.
Ai kërkoi zgjatjen e mandatit të komisionit, duke theksuar se qëllimi është garantimi i një reforme të qëndrueshme.
“Kërkojmë shtyrjen e këtij komisioni dhe nuk është as ndonjë gjë e padëgjuar dhe as e pambështetur në ligj. Nuk është koha kryesore, por është përmbajtja dhe produkti i këtij komisioni. Reforma duhet të rezistojë”, u shpreh deputeti demokrat.
Boçi akuzoi mazhorancën se reforma e mëparshme territoriale ka qenë politike dhe kërkoi që këtë herë procesi të jetë më gjithëpërfshirës.
“E bëtë një reformë më herët politike, por këtë herë e doni edhe më politike. Kërkesa jonë është legjitime. Shtyni afatin e komisionit, se nuk i bëni nder opozitës, por vetes dhe këtij Parlamenti”, deklaroi ai.
Kërkesës së opozitës i është përgjigjur kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili e ka kundërshtuar shtyrjen e afatit, duke argumentuar se procesi nuk mund të rikthehet pas.
“Kërkesa për zgjatjen e afateve i ngjan kërkesës së një udhëtari që ka humbur trenin një javë më parë. Ky është një proces i cili nuk mund të kthehet pas”, tha Balla.
Sipas tij, diskutimi për zgjatjen e afatit duhej të ishte bërë më herët në sallën e Kuvendit, duke kujtuar se për komisionin e reformës zgjedhore kishte pasur dakordësi mes palëve, ndërsa për atë territorial nuk ishte arritur i njëjti konsensus.
“Ky diskutim mund të ishte bërë në këtë sallë një javë më parë, kur për ironi ky Kuvend u gjend para dy situatave të ngjashme. Kishte një komision për zgjedhoren dhe një për territoriale. Në rastin e zgjedhores kishim konsensus nga të dy bashkëkryetarët dhe u miratua, ndërsa në rastin e territoriales nuk e kemi këtë konsensus”, deklaroi kreu i grupit parlamentar socialist.
Megjithatë, Balla tha se mazhoranca është e gatshme të dëgjojë gjetjet e komisionit dhe propozimet e palëve politike, por këmbënguli se mandati i komisionit ka përfunduar.
“Unë besoj se sot jemi përgatitur për të dëgjuar gjetjet nga të dy grupimet dhe më pas të gjitha palët politike mund të vijnë me propozimet e veta, por ky komision nuk mund të ringjallet, meqë e ka mbaruar mandatin e vet”, përfundoi Balla.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.