PES: Kush nuk voton ndryshimet kushtetuese merr përgjegjësinë për ngadalësimin e luftës kundër korrupsionit dhe rrugës evropiane
Lëvizja “Evropa Tani” (PES) paralajmëroi sot se refuzimi i votimit për ndryshimet kushtetuese që synojnë forcimin e integritetit të mbajtësve të funksioneve publike do të thoshte marrjen përsipër të përgjegjësisë për ngadalësimin e luftës kundër korrupsionit dhe të integrimit evropian të Malit të Zi, siç njofton Portal Analitika. Sipas PES-it, reformat në fushën e sundimit të ligjit nuk mund të jenë objekt llogarish politike.
Sipas deklaratës, Malit të Zi i duhen institucione të forta dhe të pavarura, që veprojnë në interes të qytetarëve dhe të shtetit, jo sipas interesave politike të veçanta. Ndryshimet kushtetuese, që synojnë forcimin e përgjegjësisë së funksionarëve publikë dhe përmbushjen e detyrimeve nga agjenda evropiane, sipas PES-it janë rënë dakord me Komisionin Evropian dhe kërkojnë qasje të përgjegjshme nga të gjithë aktorët politikë.
“Lufta kundër korrupsionit endemik nuk mund të reduktohet në mesazhe retorike. Ajo kërkon zgjidhje konkrete, sistemike dhe afatgjata që parandalojnë abuzimin e funksioneve publike, forcojnë përgjegjësinë dhe rikthejnë besimin e qytetarëve te institucionet”, thuhet në deklaratën e partisë. PES shton se publiku ka të drejtë të dijë pse disa aktorë politikë refuzojnë mbështetjen për propozimin, dhe se duhet dalluar qartë mes vërejtjeve ligjore dhe vendimeve politike që mund të ngadalësojnë mekanizmat e fortë antikorrupsion — thelbësorë për mbylljen e kapitullit negociues 23.
Ky është zhvillimi i ri pas dështimit të votimit të parë në Kuvend më 16 shtator (46 vota pro, kur nevojiteshin 54). PES përfundon se përgjegjësia politike matet me vepra konkrete, jo me fjalë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.