“Piromanët para drejtësisë, të ndëshkohen ashpër”- Lamallari thirrje Prokurorisë për të hetuar zjarrvënësit: Luft
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i ka bërë thirrje publike organeve të drejtësisë që të reagojnë me gjithë fuqinë e ligjit ndaj piromanëve.
Ndërsa lufta nga ajri dhe toka vijon në të gjitha vatrat e zjarrit aktive në vend dhe veçanërisht në parkun e Lurës dhe Krujë, ai kërkon një aksion paralel edhe nga Prokuroria për autorët e zjarreve.
Forcat zjarrfikëse, efektivët e Policisë së Shtetit, Forcat e Armatosura dhe strukturat e Emergjencave Civile vijojnë operacionin në terren për përballimin e situatës së krijuar nga zjarri në Parkun Kombëtar të Lurës. Për shkak të temperaturave ekstreme dhe terrenit të vështirë, ndërhyrja po zhvillohet në kushte të vështira, ndërsa operacioni mbështetet edhe nga ajri.
Në një reagim të tij, Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari thekson se puna do të vijojë pa ndërprerje deri në neutralizimin e plotë të rrezikut dhe mbrojtjen e Parkut Kombëtar të Lurës.
Por krahas betejës për shuarjen e flakëve, Lamallari vendos theksin te përgjegjësia penale për personat që shkaktojnë zjarre në mënyrë të qëllimshme.
Ministri i Brendshëm u bën thirrje prokurorëve që të angazhohen maksimalisht në ndjekjen e rasteve të zjarrvënies së qëllimshme, duke kërkuar që autorët të evidentohen, të procedohen dhe të përballen me forcën e ligjit.
Sipas Lamallarit, Policia e Shtetit duhet të bëjë gjithçka për identifikimin e autorëve, ndërsa prokuroria duhet të tregojë “vetëdije të lartë qytetare dhe angazhim maksimal profesional” për ndjekjen e tyre penale.
“Zjarrvënësit e qëllimshëm duhen evidentuar sa më parë dhe plotësisht nga Policia e Shtetit, proceduar dhe ndjekur penalisht”, shprehet Lamallari, duke kërkuar që çdo person që shkatërron pasurinë kombëtare të vihet përpara drejtësisë dhe të ndëshkohet sipas ligjit penal.
Mesazhi i ministrit vjen në një moment kur zjarret vijojnë të përbëjnë një rrezik serioz për sipërfaqet pyjore dhe zonat e mbrojtura në vend. Për Lamallarin, mbrojtja e pasurisë natyrore nuk mund të mjaftohet vetëm me ndërhyrjen për shuarjen e flakëve, por duhet të shoqërohet edhe me hetim të plotë dhe ndëshkim të autorëve kur zjarret janë të qëllimshme.
Ndërkohë, operacioni në Lurë vijon nga toka dhe ajri, me strukturat e angazhuara që po punojnë për izolimin dhe neutralizimin e vatrave të zjarrit dhe mbrojtjen e Parkut Kombëtar.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.