Policia jep njoftim zyrtar për tubimin e djeshëm te “Zogu i Zi”: Arrestohen 12 persona
12 persona janë arrestuar në flagrancë dhe 15 të tjerë janë proceduar penalisht pas tubimit të zhvilluar më 14 shtator në Tiranë.
Sipas Policisë, një grup personash u mblodhën rreth orës 07:30 në sheshin “Skënderbej”, pa lejen përkatëse, dhe më pas marshuan drejt Rrugës së Durrësit. Protestuesit ndaluan pranë një gjimnazi, ku, sipas uniformave blu, u bënë thirrje nxënësve për bojkotimin e procesit mësimor dhe pjesëmarrjen në tubim.
Policia pretendon se gjatë protestës u cenua perimetri i sigurisë së shkollës, ndërsa disa prej pjesëmarrësve nuk iu bindën urdhrave për t’u larguar dhe për të liruar trotuarin për kalimin e qytetarëve.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë shoqërimit disa prej protestuesve kanë kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë.
Për ngjarjen janë arrestuar në flagrancë 12 shtetas, ndërsa 15 të tjerë po ndiqen penalisht në gjendje të lirë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Sipas Policisë, ndaj personave të përfshirë janë ngritur dyshime për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shtytja e të miturve në krim”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.