Prishtina merr një pikë në derbin kundër Malishevës
Malisheva dhe Prishtina kanë ndarë pikët në derbin e xhiros së nëntë të Albi Mall Superligës së Kosovës, duke barazuar 1:1 të enjten në stadiumin “Liman Gegaj”.
Vendasit kaluan të parët në epërsi në minutën e 29-të, kur Xhemal Ibishi realizoi pas një aksioni individual të mirë në zonën e Prishtinës.
Kryeqytetasit reaguan në pjesën e dytë dhe arritën ta shmangin humbjen në minutën e 76-të. Assane Diatta ishte i saktë nga pika e bardhë, duke vulosur rezultatin përfundimtar të derbit.
Barazimi bën që të dyja skuadrat të vazhdojnë me pikë të barabarta në krye të tabelës. Malisheva prin me 20 pikë nga nëntë ndeshje, me bilanc prej gjashtë fitoreve, dy barazimeve dhe një humbjeje.
Prishtina ka gjithashtu 20 pikë, por nga tetë ndeshje të zhvilluara. Bardhekaltrit ende nuk kanë pësuar humbje në kampionat, ndërsa kanë në pritje ndeshjen e mbetur kundër kampiones në fuqi, Dritës.



