Problemi me Al Kaponet

Problemi me kryegangsterrë si Al Kapone është se ata kryejnë aq shumë krime saqë, për çfarëdo që t’i dënosh duket sikur i je shmangur drejtësisë. Ndërkohë, është thuajse e pamundur t’ua provosh të gjitha krimet. Në vitet 30të, të gjithë e dinin se njeriu që terrorizoi Çikagon dhe gjithë Amerikën në kohën e ndalimit të alkoolit ishte kriminel. Por nuk e arrestonin dhe nuk e dënonin dot se s’kishte prova. Më në fund, arritën ta dënonin me burg me akuza për parregullsi në lidhje në pagimin e taksave. Provat dhe faktet u gjetën vetëm për shkeljet fiskale.
Ndoshta drejtësia do t’i provojë një ditë akuzat për vjedhje dhe për korrupsion që i drejtohen Edi Ramës. Ndoshta edhe mund të mos i provojë dot. Ata që i dalin në mbrojtje mundohen të të bindin me argumentin se Edi Ramën nuk mund të akuzohet gjëra që nuk i janë provuar ligjërisht.
Por ka edhe gjëra që janë të provuara dhe të pohuara nga ai vetë dhe për të cilat politika dhe ligji duhet të veprojë për ta hequr atë nga karrigia. Ndoshta ato nuk përbëjnë thelbin e korrupsionit dhe shkatërrimit që i ka sjellë Edi Rama strukturës së shtetit shqiptar, por mbeten shkelje të rënda, të hapura dhe lehtësisht të provueshme.
Ndër to është edhe projekti për krijimin e një shteti bektashi në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Kryeministri Edi Rama e shpalli zyrtarisht idenë për krijimin e një mikro-shteti sovran të Urdhrit Bektashi në shtator të vitit 2024 gjatë një fjalimi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. “… Rama tha se enklava sovrane, që do t’i ngjasojë Vatikanit…Qeveria shqiptare planifikon të ndërtojë në sipërfaqen prej 27 hektarësh, mikro-shtetin e quajtur “Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi”, i cili do të ketë kufijtë, administratën dhe pasaportat e tij.” (DW 25/09/2024).
Kushtetuta e sotme e Republikës së Shqipërisë nuk lejon krijimin e një shteti tjetër sovran brenda territorit të saj. Neni 1 / 2. përcakton se Republika e Shqipërisë është shtet unitar dhe i pandashëm. Pra, sipas Kushtetutës Shqipëria është një shtet i vetëm dhe i pandashëm. Falja ose kalimi i një pjese të territorit nën një sovranitet tjetër të pavarur (me pasaporta, kufij apo monedhë më vete) bie ndesh drejtpërdrejt me këtë nen. Nuk ka rëndësi nëse janë 27 hektarë, 27 cm katrorë apo 27 mijë kilometra katrorë.
Nga ana tjetër, Neni 3 sanksionon se “Pavarësia e shtetit dhe tërësia e territorit të tij … janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë”. Kjo do të thotë se “Kushtetuta e ngarkon shtetin me detyrën e prerë për të respektuar dhe mbrojtur tërësinë territoriale dhe pavarësinë si baza të ekzistencës së tij.” (Gazeta Panorama, 30 shtator 2024, Kushtrim Istrefi: “Krijimi dhe njohja e shtetit bektashi, sipas së drejtës ndërkombëtare kushtetuese.”) Kushtetuta nuk e ngarkon shtetin me detyrën për ta zhbërë tërësinë territorial dhe pavarësinë e Shqipërisë.
Neni 2/1 përcakton: “Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit”. Askush nuk mund t’ia ofrojë sovranitetin një entiteti tjetër jashtë sistemit juridik të përcaktuar nga populli shqiptar nëpërmjet përfaqësuesve të tij. Duke i ofruar sovranitetin e një pjese të Republikës së Shqipërisë shtetit Bektashi, Edi Rama merr përsipër të bëjë një gjë për të cilën nuk është i autorizuar apo i lejuar ta bëjë. Ai shkel Kushtetutën.
Në lidhje me komunitetet fetare, Paragrafi 1 i Nenit 10 thotë: “Në Republikën e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare” ndërsa paragrafi 3: “Shteti njeh barazinë e bashkësive fetare”. Krijimi i një shteti bektashi është në kundërsthim me të dy këto paragrafë. Ai lejon një shtet fetar brenda Republikës së Shqipërisë dhe i jep përparësi një feje kundrejt të tjerave.
Nuk ka nevojë të jesh jurist dhe mjafton leximi i dy faqeve të para të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë për të kuptuar që Kryeministri Edi Rama me përpjekjet për krijimin e një shteti Bektashi në territorin e Shqipërisë shkel në katër nene ligjin themelor të Republikës së Shqipërisë, ligjin për të cilin ai është zgjedhur që ta mbrojë. Nëse kryeministri bën hapur shkelje ligjore atij duhe t’i hiqet imuniteti dhe të ndiqet penalisht. Nëse ai shkel kushtetutën dhe kjo provohet katërcipërisht, siç mund të provohet fare lehtë në rastin e deklarimit të projektit për krijimin e një shteti bektashi në territorin e Republikës së Shqipërisë, atëherë është absurde që ai të vazhdojë të jetë kryeministër dhe të mos përgjigjet përpara ligjeve të vendit për këtë shkelje.
Rama vazhdon t’i mëshojë karriges së kryeministrit me pretendimin se atë e kanë votuar 800 mijë shqiptarë dhe ai do të mbajë mandatin që i kanë dhënë ata. Por ai duhet ta dijë se asnjë numër apo përqindje votash nuk të jep imunitet për të shkelur kushtetutën. Duke shkelur kushtetutën, ai ka grisur mandatin që i kanë dhënë votuesit. Në këtë rast, kërkesa për dorëheqjen e tij është thjesht kërkesë për zbatimin e ligjit, kërkesa më e ligjshme dhe më e ndershme që mund dhe duhet të bëjë çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë. Përpjekjet për ta mbrojtur atë janë përpjekjet për të mbrojtur dikë që ka shkelur ligjin, janë përpjekje të paligjshme.
Me Al Kaponet duhet vepruar siç u veprua me origjinalin e tyre.

Shkrime nga Arben Kallamata — të gjitha shkrimet e autorit në Opinion →



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.