SHBA – Pjesëmarrje rekord në votimin paraprak, demokratët kryesojnë ndaj republikanëve
– Mbi 47,9 milionë amerikanë kanë votuar paraprakisht në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, duke thyer rekordin e mëparshëm të pjesëmarrjes për këtë lloj zgjedhjeje, sipas të dhënave të publikuara sot nga Laboratori i Zgjedhjeve i Universitetit të Floridës, sipas AP.
Deri në mesditën e 30 tetorit, numri i votuesve që kishin hedhur votën e tyre paraprakisht kishte arritur në 47 922 669, duke tejkaluar rekordin e vitit 2022, kur 45,9 milionë amerikanë votuan përpara ditës zyrtare të zgjedhjeve.
Pjesëmarrja është veçanërisht e lartë në disa shtete ku zhvillohen gara të forta për vendet në Senat, të cilat mund të përcaktojnë se cila parti do të kontrollojë këtë dhomë të Kongresit amerikan, gjatë dy viteve të fundit të mandatit të presidentit Donald Trump.
Në Teksas, më shumë se 6 milionë persona kishin votuar paraprakisht deri të mërkurën, me pjesëmarrjen në votimin fizik rreth 50% më të lartë se në të njëjtën periudhë të vitit 2022.
Në Karolinën e Veriut, autoritetet zgjedhore raportuan një rritje prej gati 37% të votimit të hershëm krahasuar me të njëjtën periudhë katër vjet më parë.
Ndërsa në Karolinën e Jugut, numri i votave të hedhura paraprakisht kishte tejkaluar që të hënën totalin e regjistruar gjatë gjithë procesit të votimit të hershëm në zgjedhjet e vitit 2022.
Në Kansas, ku senatori republikan Roger Marshall përballet me një garë të vështirë për rizgjedhje, votat e hedhura paraprakisht ishin rreth dy të tretat më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2022.
Demokratët kryesojnë në votimin e hershëm
Në shtetet ku regjistrohet përkatësia partiake e votuesve, demokratët përbëjnë një pjesë më të madhe të personave që kanë votuar paraprakisht sesa republikanët.
Sipas të dhënave të Laboratorit të Zgjedhjeve të Universitetit të Floridës, rreth 44% e votuesve të hershëm në këto shtete janë demokratë, kundrejt 31% republikanë. Pjesa tjetër, rreth 25%, përbëhet nga votues të pavarur ose që i përkasin partive të tjera.
Politologu Michael McDonald, i cili drejton këtë laborator, ka vënë në dukje gjithashtu rritjen e pjesëmarrjes së votuesve me ngjyrë dhe atyre me origjinë hispanike në shtetet që publikojnë të dhëna për përkatësinë etnike.
Në Xhorxhia, ku votimi i hershëm fizik theu rekordin e zgjedhjeve të mesmandatit të enjten, gratë përbënin 56% të votuesve deri në atë ditë, ndërsa burrat 44%.
Zyrtari më i lartë i zgjedhjeve në këtë shtet, Brad Raffensperger, deklaroi se qytetarët po marrin pjesë në numër rekord, sepse kanë besim te sistemi zgjedhor.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se shifrat e votimit të hershëm nuk mund të interpretohen si parashikim i rezultatit përfundimtar.
Përkatësia partiake e një votuesi nuk tregon se për cilin kandidat ka votuar. Gjithashtu, miliona amerikanë pritet të votojnë në ditën zyrtare të zgjedhjeve.
Në zgjedhjet e fundit, republikanët kanë pasur prirjen të votojnë në numër më të madh pikërisht ditën e zgjedhjeve, çka mund të ngushtojë ose edhe të përmbysë avantazhin e demokratëve në votimin e hershëm.
Ekspertët theksojnë gjithashtu se një pjesëmarrje më e lartë në votimin paraprak nuk do të thotë domosdoshmërisht se do të ketë edhe më shumë votues në total, pasi një pjesë e qytetarëve thjesht zgjedhin të votojnë më herët se në zgjedhjet e kaluara.
Zgjedhjet e mesmandatit do të zhvillohen më 3 nëntor 2026 dhe do të përcaktojnë përbërjen e re të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, si dhe do të zgjidhen guvernatorë në disa shtete amerikane. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.