PROPOZOHET NDRYSHIMI I KUSHTETUTËS: KONTROLL I DETYRUESHËM I INTEGRITETIT PËR KANDIDATËT NË QEVERI
Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Qeveria e Malit të Zi ka miratuar sot njëzëri Propozimin për ndryshimin e Kushtetutës, me të cilin parashihet kontrolli i detyrueshëm paraprak i integritetit për kandidatët për kryeministër të mandatuar dhe kandidatët për anëtarë të Qeverisë.
Këtë e bëri të ditur zëvendëskryeministri për Sistemin Politik, Drejtësinë dhe Luftën Kundër Korrupsionit, Momo Koprivica, i cili tha se kontrolli i integritetit do të bëhet detyrim kushtetues dhe jo më çështje e vullnetit politik apo vlerësimit individual.
Sipas propozimit, një kandidat që nuk i plotëson kushtet e përcaktuara me ligj për integritetin dhe nuk e kalon kontrollin përkatës, nuk mund të propozohet për kryeministër të mandatuar dhe as për anëtar të Qeverisë.
Koprivica tha se qëllimi është që rreziqet të identifikohen dhe parandalohen para se të shndërrohen në konflikte interesi apo raste korrupsioni. Sipas tij, masa synon forcimin e përgjegjësisë politike, mbrojtjen e interesit publik dhe rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet shtetërore.
Ai paralajmëroi gjithashtu se para deputetëve së shpejti do të jetë edhe zgjidhja kushtetuese për heqjen e imunitetit të anëtarëve të Qeverisë për veprat penale me elemente korrupsioni.
Koprivica vlerësoi se këto ndryshime, së bashku me ligjet e reja kundër korrupsionit të miratuara muajin e kaluar, do të krijojnë një nga kornizat më të fuqishme kundër korrupsionit në Evropë.
Sipas tij, ndryshimet synojnë gjithashtu zbatimin e rekomandimeve të GRECO-s dhe Komisionit të Venecias, forcimin e sundimit të ligjit dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të Malit të Zi.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.