Pse Evropa është e shqetësuar nga fabrika e robotëve kinezë në Serbi?
Në fund të korrikut, administrata Trump njoftoi një masë kontroverse që ndalonte modelet e reja të robotëve të avancuar të prodhuar jashtë SHBA-së, përfshirë robotët humanoidë dhe ata katërkëmbësh, përveç rasteve të autorizuara posaçërisht.
Edhe pse masa zyrtarisht u drejtohej të gjithë prodhuesve të huaj, objektivi kryesor ishte Kina. Shqetësimi i Uashingtonit ishte se sensorët, kamerat dhe sistemet e komunikimit të instaluara në këto pajisje mund të shndërroheshin në mjete survejimi, mbledhjeje informacioni dhe madje kontrolli në distancë nga fuqi rivale.
Megjithatë, vetëm disa javë më vonë, robotika kineze po vendoset pikërisht në zemër të Evropës. Në Šabac, në Serbinë perëndimore, është inauguruar një fabrikë që nuk prodhon makina, këpucë apo mobilie, si shumë prej impianteve të huaja të ngritura në Ballkan vitet e fundit.
Bëhet fjalë për një projekt të ri në fushën e teknologjisë së avancuar: një fabrikë robotësh “made in China”, por e ndërtuar në territorin serb.
Impianti është rezultat i bashkëpunimit mes gjigantit kinez Minth Group dhe kompanisë Agibot, e specializuar në robotikën e avancuar. Objektivi është krijimi në Serbi i strukturës së parë evropiane për prodhimin në seri të robotëve humanoidë të projektuar në Kinë.
Në ceremoninë e inaugurimit mori pjesë presidenti serb Aleksandar Vu?i?, i cili u shfaq duke ndërvepruar me disa prej robotëve. Njëri prej tyre ishte një robot-barman i veshur me frak, ndërsa një robot tjetër katërkëmbësh transportonte një person. Vu?i? u shfaq edhe si portier, duke tentuar të presë një penallti të goditur nga një robot.
Sipas autoriteteve serbe, fabrika do të prodhojë më shumë se pesë mijë robotë në vit. Në të ardhmen, kapaciteti i përgjithshëm parashikohet të arrijë në rreth 20 mijë njësi në vit, mes robotëve humanoidë dhe robotëve katërkëmbësh, të destinuar për tregjet evropiane dhe ato ndërkombëtare.
Projekti parashikon gjithashtu prodhimin e mjeteve ajrore pa pilot dhe baterive të gjeneratës së re në impiante të tjera në Serbi.
Por përdorimi i këtyre teknologjive nuk duket se do të kufizohet vetëm te industria. Vetë Vu?i? ka njoftuar se Serbia ka blerë nga kompania kineze Minth robotë-qen që do të përdoren nga forcat e armatosura serbe.
Madje, presidenti serb ka deklaruar se këta robotë do të mund të pajisen me armë dhe të kontrollohen në distancë. Sipas tij, ekspertët serbë kanë integruar sistemet e nevojshme dhe kanë krijuar një platformë që mund të përdoret për të goditur objektiva armike.
Demonstrimet e para të këtyre robotëve ushtarakë priten në javët e ardhshme. Për Vu?i?, fabrika e Šabac shënon “një epokë të re” për Serbinë. Ajo do të krijojë vende pune dhe do të prodhojë robotë që, sipas tij, do të zëvendësojnë njerëzit në profesione ku mungon fuqia punëtore.
Por në këtë histori ka edhe një dimension tjetër, shumë më të ndjeshëm për Evropën. Të njëjtat teknologji që synojnë të zëvendësojnë punëtorët mund të përdoren edhe në fushën ushtarake.
Dhe fakti që prodhimi i robotëve të projektuar në Kinë po ngrihet në një vend evropian, ndërsa SHBA-ja paralajmëron për rreziqet e sigurisë që lidhen me këto pajisje, e bën projektin serb veçanërisht të rëndësishëm.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.