Punime në aksin sheshi Shqiponja-Limuth, nisin devijimet e trafikut
Nga Sheshi Shqiponja deri te nënkalimi i Limuthit kanë nisur punimet per permiresimin e ketij aksi rrugor. Ndërhyrja parashikon ndërtimin e mbikalimeve për këmbësorët, gjelbërimin e segmentit, instalimin e ndriçimit rrugor dhe rikonstruksionin e shtresave asfaltike. Për shkak të punimeve, njëra prej korsive do të devijohet përkohësisht, ndërsa qarkullimi do të vijojë në korsitë e tjera.
Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, projekti synon plotësimin e elementeve infrastrukturore dhe përmirësimin estetik të këtij aksi, deri në pikën e lidhjes me autostradën e re. Krahas ndërhyrjeve kryesore, do të realizohen edhe punime të tjera të parashikuara në projekt, me qëllim përmirësimin e kushteve të lëvizjes dhe sigurisë për përdoruesit e rrugës.
Devijimi i trafikut do të kryhet në përputhje me planin e menaxhimit të qarkullimit, duke garantuar vijimin e lëvizjes së automjeteve në korsitë e disponueshme. Megjithatë, drejtuesit e mjeteve duhet të llogarisin mundësinë e ngadalësimit të qarkullimit, veçanërisht në oraret me fluks të lartë automjetesh.
ARRSH u bën apel drejtuesve të automjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kalimit në këtë segment, të respektojnë sinjalistikën e përkohshme dhe të zbatojnë udhëzimet e punonjësve në terren.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.