Pushteti, qëllimi më i lartë dhe thelbi i fjalimit të Edi Ramës
Nga Thoma Gëllçi
E lexova me kujdes fjalimin e gjatë të Edi Ramës para socialistëve. Fliste për Europën, ekonominë, drejtësinë, protestat, mediat dhe disiplinën në parti. Por, në fund, të gjitha përfundonin te një çështje: Partia Socialiste duhet të vazhdojë të qeverisë dhe Edi Rama duhet të mbetet kryeministër.
Nuk ka asgjë të keqe që një parti të kërkojë apo ta mbajë pushtetin. Për këtë merr pjesë në zgjedhje. Problemi fillon kur drejtuesi i saj bindet se askush tjetër nuk është i aftë ta qeverisë vendin.
Rama e thotë shprehimisht: “Askush, asnjë forcë tjetër politike.”
Pra, Shqipëria mund të ketë shumë parti, zgjedhje, opozitë e pluralizëm, por aftësinë për të qeverisur e paska vetëm Partia Socialiste. Të tjerët mund të konkurrojnë, madje edhe të fitojnë vota, por qeverisjen duhet t’ua lënë atyre që dinë ta bëjnë.
Kjo bindje nuk është e re në politikën shqiptare. Enver Hoxha mendonte se pa Partinë e Punës vendi nuk kishte të ardhme. Ramiz Alia e trashëgoi këtë mendim bashkë me pushtetin. Sali Berisha e paraqiste largimin e tij si rrezik kombëtar. Kohët dhe sistemet janë të ndryshme, por zakoni mbetet: sa më gjatë qëndron në pushtet, aq më shumë fillon të besosh se vendi nuk bën dot pa ty.
Rama e lidh këtë pazëvendësueshmëri me integrimin europian. Ai flet për “faqen e fundit të historisë që po e shkruajmë ne, Partia Socialiste e Shqipërisë”.
Integrimi, një synim i shqiptarëve prej dekadash, paraqitet kështu pothuajse si pronë e PS-së. Qeveria ka të drejtë të marrë meritat për përparimin e negociatave, por Shqipëria nuk po hyn në Bashkimin Europian si degë e Partisë Socialiste. As Brukseli nuk ka vendosur që anëtarësimi të bëhet vetëm me Ramën kryeministër.
Megjithatë, arsyetimi është i qartë: Meqenëse PS po e çon vendin drejt Europës, PS duhet të qëndrojë në pushtet. Dhe meqenëse vetëm PS mund ta bëjë këtë punë, zgjedhjet e ardhshme mund të zhvillohen, por fituesi i dëshirueshëm është përcaktuar.
Edhe mandati katërvjeçar merr një kuptim të ri. Rama e quan “një mision të ngarkuar nga një popull i tërë”, që “nuk zhbëhet dot nga askush”.
Fjala mision ka një përparësi ndaj fjalës mandat: mandati ka afat, ndërsa misioni mund të zgjasë sipas nevojës së misionarit. Edhe Berisha e pëlqente këtë fjalë. Por qytetarët nuk zgjedhin misionarë apo profetë. Zgjedhin qeveritarë me mandat të kufizuar, të cilët mund t’i rizgjedhin ose t’i largojnë. Dhe një shumicë zgjedhore, sado e madhe, nuk është “një popull i tërë”.
Kur vjen puna te kundërshtarët, fjalimi bëhet edhe më interesant. Protestuesit shfaqen si flamingo, sorra e korba, ndërsa diku veprojnë edhe “duar të huaja”. Për mediat kritike kemi “grykët e errëta” dhe “tenxheret dixhitale”. Po ta lexosh pa ditur autorin, mund të mendosh se është një studim për shpendët dhe pajisjet shtëpiake.
Humori në politikë është i mirëpritur. Por kur kundërshtarët trajtohen vazhdimisht si karikatura, batuta zë vendin e argumentit.
Rama mendon se qytetarët mund të protestojnë, por në forma që “nuk pengojnë askënd tjetër të vazhdojë jetën e vet”. Ky do të ishte një rregull shumë i përshtatshëm për qeverinë. Protestuesit mund të dalin në rrugë, me kusht që të mos shqetësojnë askënd. Mundësisht, të protestojnë në shtëpi, me zë të ulët.
Protesta paqësore është një e drejtë demokratike, edhe kur shkakton shqetësime të përkohshme. Dhuna nuk lejohet, por as kryeministri nuk mund të vendosë se cilat protesta meritojnë respekt, sipas faktit nëse e bezdisin apo jo.
Paradoksi është se, pasi i etiketon protestuesit, Rama u kërkon socialistëve të dëgjojnë më shumë qytetarët. Nuk është ndonjë mënyrë shumë premtuese për të nisur dialogun.
Me mediat ka një tjetër problem. Sipas tij, 60 për qind e përmbajtjes mediatike është kundër qeverisë, 30 për qind neutrale dhe 10 për qind në favor. Nuk jep burim për këto shifra. Por edhe sikur të jenë të sakta, çfarë provojnë? A ekziston ndonjë kuotë europiane për lajmet pozitive ndaj kryeministrit? Duhet që gazetari, pas dy lajmeve për korrupsionin, të shkruajë një lajm të mirë për qeverinë që të ruajë ekuilibrin?
Detyra e shtypit është të informojë dhe të kontrollojë pushtetin, jo t’i sigurojë kryeministrit një përqindje të kënaqshme komplimentesh.
Në fund, Rama mbërrin te fjala që duket se përmbledh mënyrën si e koncepton funksionimin e partisë: disiplina. “Të gjitha këto mbyllen tek një pikë: disiplina”, thotë ai, duke e krahasuar PS-në me një skuadër futbolli. Krahasimi është i goditur. Trajneri përcakton formacionin, lojtarët zbatojnë udhëzimet dhe kundërshtarët e taktikës përfundojnë në stol. Vetëm se një parti demokratike nuk është skuadër futbolli. Anëtarët duhet të kenë të drejtë të kundërshtojnë trajnerin dhe, kur është nevoja, edhe ta ndryshojnë. Por duket se kjo është e huaj për Edi Ramën.
Në fjalim kishte shumë thirrje për disiplinë, mobilizim dhe mbrojtje të qeverisë. Por asgjë për debat të brendshëm, përgjegjësi politike apo zgjedhje të lira apo ndryshim drejtuesish.
Nëse i lidhim të gjitha këto, del një arsyetim i thjeshtë. Europa kërkon vazhdimësinë e PS-së. Mandati është mision. Opozita nuk di të qeverisë. Protestuesit pengojnë. Mediat janë kundër. Drejtësia duhet mbështetur, por edhe korrigjuar kur prek njerëzit tanë. Ndërsa socialistët duhet të ruajnë disiplinën dhe për çdo gjë do të vendosë trajneri.
Përfundimi është se PS duhet të vazhdojë të qeverisë, sepse vetëm ajo mund ta bëjë këtë punë. Dhe prova më e fortë se vetëm ajo mund ta bëjë është fakti që po qeveris. Është një argument që nuk mund të humbasë, për sa kohë pranohet logjika e tij.
Rama, është e natyrshme, të ketë arsye për të kërkuar një tjetër mandat. Ai mund të mbështetet te rezultatet ekonomike, investimet, reformat dhe përparimin europian. Edhe opozita duhet të provojë se është e aftë të qeverisë. Por as arritjet e qeverisë, as dobësitë e opozitës nuk krijojnë një të drejtë të përhershme mbi pushtetin.
Nuk pretendoj se Rama kërkon të zhdukë pluralizmin. Fjalimi nuk provon një gjë të tillë. Por ai zbulon një mendësi politike ku interesi i vendit ngatërrohet me interesin e partisë dhe interesi i partisë me vazhdimësinë e kryetarit.
Prandaj, pas leximit, mbeta me përshtypjen se kisha lexuar një shpjegim të gjatë përse Rama duhet të vazhdojë të jetë kryeministër.
Mendimi im është se një qeveri quhet e suksesshme kur di të ndërtojë institucione që funksionojnë edhe pasi ajo të largohet nga qeverisja. Duhet ta pranojë se mund të humbasë zgjedhjet pa u rrezikuar e ardhmja e vendit. Shqipëria ka pasur mjaft udhëheqës që kanë menduar se ishin të pazëvendësueshëm. Të gjithë, herët a vonë, janë larguar. Shqipëria vazhdon të ekzistojë.
Kjo është një e vërtetë e thjeshtë që Edi Rama duket se ende nuk e ka përfshirë në programin e tij evropian. Dhe kam frikë se sa më shumë t’i theksojë tezat e fjalimit të sotëm, aq më shumë e largon Shqipërinë nga Evropa.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.