DUBLIN – Merz paralajmëron Trump për takimin me Putinin në Kinë: Mos përsëritni skenarin e Alaskës
– Kancelari gjerman, Friedrich Merz i ka kërkuar presidentit amerikan, Donald Trump, të shmangë çdo vendim të papritur gjatë takimit të pritshëm me presidentin rus, Vladimir Putin në Kinë javën e ardhshme, duke paralajmëruar Uashingtonin të mos përsërisë atë që ndodhi gjatë samitit të mëparshëm në Alaskë, sipas “Reuters”.
Duke folur në Dublin, Merz shprehu shqetësimin se takimi i ardhshëm mund të përsërisë skenarin e samitit Trump-Putin, në Alaskë, të cilin udhëheqësit evropianë e kishin konsideruar një moment të rëndësishëm për përpjekjet drejt përfundimit të luftës në Ukrainë.
“Disa këtu në Dublin kanë frikë se mund të përsëritet skenari i Alaskës. Prandaj, dua t’ia përcjell shumë qartë mesazhin tonë Shteteve të Bashkuara të Amerikës: ju lutemi, pa surpriza. Vazhdoni të veproni në kuadër të ekipit të Evropës dhe ekipit të Ukrainës”, deklaroi Merz.
Kancelari gjerman po përpiqet gjithashtu të sigurojë angazhimin e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, për vazhdimin e mbështetjes ndaj Ukrainës, në kuadër të diskutimeve për buxhetin afatgjatë të unionit.
Sipas tij, nisma ka marrë mbështetje të gjerë nga partnerët evropianë, megjithëse një marrëveshje përfundimtare mbetet ende larg.
Pas takimeve të zhvilluara këtë javë në Abu Dabi mes përfaqësuesve amerikanë dhe rusë, Merz pret që negociatat thelbësore për paqen të nisin gjatë javëve të ardhshme.
Ai theksoi se në këtë fazë duhet të marrin pjesë edhe përfaqësuesit evropianë, për herë të parë në proces.
Kancelari gjerman kundërshtoi gjithashtu kërkesën e Rusisë, që në qendër të bisedimeve të vendoset arkitektura e sigurisë evropiane, duke argumentuar se ky kuadër ekziston tashmë përmes NATO-s.
“Diskutimet e ardhshme duhet të përqendrohen në një çështje kryesore: në çfarë kuadri mund të garantohet siguria e Ukrainës pasi të arrihet paqja? Por, fillimisht, duhet të arrijmë paqen”, theksoi Merz.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se Trump do të takohet javën e ardhshme me presidentin rus, Vladimir Putin dhe presidentin kinez Xi Jinping në qytetin Shenzhen, në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC).
Takimi pritet të zhvillohet në një moment të ndjeshëm për marrëdhëniet ndërkombëtare, ndërsa lufta në Ukrainë dhe çështjet e sigurisë globale mbeten në qendër të diskutimeve mes fuqive të mëdha. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.