Që nga mbrëmë para Kuvendit, protestuesve u bashkohen nxënës e studentë në mbështetje të UÇK-së
Protesta para Kuvendit të Kosovës ka nisur të marrë pjesë edhe nga të rinjtë. Krahas qytetarëve që prej mbrëmjes së së dielës kanë qëndruar në protestë, tashmë para Kuvendit janë mbledhur edhe një numër nxënësish dhe studentësh, në mbështetje të thirrjes së iniciativës “Jo në emrin tim”.
Protestuesit kërkojnë nga deputetët miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Iniciativa kishte bërë thirrje për tubim sot në ora 08:00, në kohën kur zhvillohen aktivitetet para seancës së Kuvendit.
Në ndërkohë, në ora 08:00 pritet të shqyrtohet projektligji në Komisionin për Legjislacion, ndërsa në ora 09:00 pritet të nisë seanca plenare e Kuvendit, ku shqyrtimi i parë i projektligjit është pika e parë e rendit të ditës.
Po në ora 09:00, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka paralajmëruar protestë para Kuvendit, me kërkesën që deputetët të votojnë ndryshimet ligjore.
Protestuesit e iniciativës “Jo në emrin tim” kanë qëndruar gjatë natës pranë Kuvendit, ndërsa në mëngjes u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’u bashkohen në Sheshin “Skënderbeu”. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.