“Qëllim, përmbushja e standardeve dhe parandalimi”- Rama: Fund kontrolleve të befasishme e kurtheve ndaj biznesev
Inspektorët e Inspektoratit të Përgjithshëm do të pajisen me kamera inteligjente, të vendosura në trup dhe të lidhura drejtpërdrejt me qendrën, ndërsa të gjitha veprimet gjatë inspektimeve do të regjistrohen në kohë reale.
Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama, gjatë konferencës së organizuar nga Inspektorati i Përgjithshëm, ku u prezantua qasjen e re ndaj kontrolleve në biznese.
“Të gjithë inspektorët e Inspektoratit të Përgjithshëm, së shpejti do të vishen me uniformë civile, me kostum, kravatë. Të gjithë do të kenë kamerën inteligjente të vendosur si stemë në trup që do të jetë e lidhur me qendrën dhe të gjitha veprimet do të jenë të regjistruara në kohë reale dhe kështu do të mund të inspektohet nga zyra e etikës e kryeinspektorit edhe edukata. Kamerat do të jenë bashkë me inspektorin gjatë gjithë orarit të punës”, tha Edi Rama.
Kryeministri deklaroi se qëllimi i reformës është kalimi nga kontrollet ndëshkuese te parandalimi dhe këshillimi i sipërmarrjeve, në mënyrë që ato të përmbushin standardet e kërkuara për t’u përballur me konkurrencën në tregun e Bashkimit Evropian. Sipas kryeministrit, inspektimet nuk duhet të synojnë kapjen në gabim të bizneseve dhe vendosjen e gjobave, por t’i ndihmojnë ato të përmirësojnë vazhdimisht standardet dhe të përgatiten për tregun evropian.
Ai theksoi gjithashtu se kontrollet e befasishme duhet të marrin fund, ndërsa parandalimi duhet të shoqërohet me paralajmërimin dhe orientimin e subjekteve.
“Adoptimi me tregun e madh dhe te egër të BE, ku konkurrenca është shumë herë më e madhe dhe ku lufta për mbijetesë është shumë më e sofistikuar sesa deri më sot këtu brenda kufijve të këtij tregu. Inspektimet shkojnë në këtë drejtim, instrument që duhet ta ndihmojë biznesin që të rrisë standardet dhe të përgatitet për tregun e BE. Qëllimi kryesor i Inspektoratit të Përgjithshëm dhe trupave inspektuese duhet të jetë parandalimi. Nuk është qëllimi ynë të kapim në gabim biznesin, të ngremë kurthe që biznesi të kapet i papërgatitur dhe ti vëmë gjobë, por të përmirësojë në vijimësi pozicionin e vet në raport me ato standarde që udhët të përmbushë dhe parandalimi duhet të jetë i shoqëruar si qasje me paralajmërimin. Duhet të marrin fund kontrollet e befasishëm sikur po shkohet në një shpellë për të kapur një grup kriminal. Territoret ku operon sipërmarrja janë territoret ku rritet ekonomia e përbashkët”, theksoi Rama.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.