Qielli mbi Riadin pothuajse bosh pas sulmeve të Huthi-t: 60% e fluturimeve anulohen, Lufthansa dhe Air France-KLM pezullojnë shërbimet
Aeroporti ndërkombëtar "King Khalid" anuloi 99.7% të fluturimeve të dielën, ndërsa administrata amerikane e aviacionit u kërkoi linjave ajrore amerikane të tregojnë kujdes të shtuar kur fluturojnë mbi Arabinë Saudite.
Qielli mbi kryeqytetin saudit, Riadin, ishte pothuajse bosh të hënën pas sulmeve vdekjeprurëse të Huthi-t të Jemenit, të mbështetur nga Irani, ndaj aeroportit të qytetit — rreth 60% e fluturimeve të planifikuara priteshin të anuloheshin, sipas të dhënave të kompanisë së analizave të aviacionit Cirium, siç njofton Reuters.
Aeroporti ndërkombëtar “King Khalid” në Riad, i dyti më i ngarkuari në Arabinë Saudite pas atij të Xhedahs, anuloi 99.7% të të gjitha fluturimeve të planifikuara të dielën, tregojnë të dhënat e Cirium. Më shumë se një e treta e fluturimeve të planifikuara në gjithë mbretërinë nuk pritej të operonin të hënën, ndërsa faqja e ndjekjes së fluturimeve FlightRadar24 vlerësoi anulimet në aeroportin e Riadit në rreth 78%.
Aeroporti i kryeqytetit saudit mbeti i mbyllur të dielën pas një sulmi që vrau një person dhe plagosi afro një duzinë të tjerë. Sulmi pasoi një tjetër sulm të pretenduar nga Huthi-t një ditë më parë, që vrau 13 persona dhe plagosi më shumë se 300. Sulmet shënojnë një nga ndërprerjet më të rëndësishme të aviacionit civil saudit në vite, duke detyruar linjat ajrore në Evropë dhe Azi të pezullojnë shërbimet.
Administrata Federale e Aviacionit (FAA) u tha të dielën linjave ajrore amerikane të “tregojnë kujdes” kur fluturojnë për në ose mbi Arabinë Saudite. Grupi Lufthansa ka anuluar të gjitha fluturimet për në Riad deri më 16 tetor, ndërsa Air France-KLM ka zgjatur një pezullim të mëparshëm të shërbimeve për në dhe nga kryeqyteti saudit deri në fund të muajit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.