Rama: BE të mos e lërë në baltë Ballkanin Perëndimor, në të kundërt do jetë dështimi më i madh i saj. Rajoni të jetë pjesë e tryezave të Europës
Kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të mos e lërë sërish në baltë Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se një dështim i procesit të integrimit të rajonit do të ishte një dështim i madh për vetë Evropën.
Duke folur në Konferencën Ndërparlamentare “Agjenda strategjike për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë”, Rama tha se Shqipëria “është e dashuruar” me Bashkimin Evropian dhe se mbështetja për Europën mbetet e fortë në vend.
“Krahasuar me vendet e BE-së, ne kemi një përparësi të madhe, pasi Shqipëria ende e dashuron BE-në dhe nuk ndodh fiks kështu me vendet tuaja, ku më shumë merret si e mirëqenë, kurse ne jemi tërësisht shumë të angazhuar. Përtej diskutimeve brenda nesh në vend, për një gjë kemi rënë dakord gjithmonë: ne e duam Evropën dhe duam të jemi brenda saj. Ne duam që ju të mos na lini sërish në baltë, pasi nëse ndodh që Ballkani Perëndimor të lihet në baltë, kjo do të jetë dështimi madhor i Evropës. Pavarësisht zellit apo ngurrimit, uroj që të gjithë të gjejmë rrugën për t’i dhënë botës dhe BE-së një sinjal shumë të fortë. Unë besoj se nuk është aq e vështirë të gjendet një rrugë e tillë”, tha Rama.
Rama theksoi se rajoni duhet të jetë pjesë e tryezave ku diskutohen sfidat që prekin Evropën. Ai kërkoi që vendet e Ballkanit Perëndimor të mos përfshihen vetëm në momente krizash, por të jenë pjesë e diskutimeve evropiane edhe kur trajtohen sfida të përbashkëta.
“Nuk duhet të kujtohemi se jemi një Evropë sa herë ka një sulm dhe kur ftohemi nëpër tavolina apo kur bie ndonjë pandemi dhe ne gjendemi rreth kësaj tavoline. Por kur vjen ndonjë valë emigracioni të paligjshëm në Evropë, duhet të jemi dhe ne në tavolinë, sepse ja ku kalohet rruga nga këtu dhe duhet të jemi dhe ne në tavolinë”, tha Rama.
Rama tha se Shqipëria ka bërë përparim të madh gjatë dekadës së fundit dhe se pritshmëritë e qytetarëve për të ardhmen e vendit janë rritur. Sipas tij, ky ndryshim përbën një “revolucion të rritjes së pritshmërive”, pasi qytetarët besojnë se vendi ka mundësi të ecë më tej dhe të ndryshojë.
“Kur flasim për këtë moment në Shqipëri, ju jeni argëtuar mjaft kohët e fundit me flamengot dhe fotot e bukura që shpërndanin nga kokat e tyre të parlamentit. Ky është shembulli më i mirë i momentit që po kalojmë. Besojmë se Shqipëria ka bërë mjaft përparim në dekadën e fundit dhe ka kaluar nga një epokë kur njerëzit gjithmonë mendonin se gjërat mund të bëheshin më keq, tani jemi në një epokë të re, ku njerëzit mendojnë se gjërat mund të bëhen më mirë.
Ky është një revolucion i rritjes së pritshmërive. Njerëzit mendojnë se vendi e ka aftësinë për të ecur edhe më lart dhe mund të bëhet ndryshe. Shumë gjëra po lëvizin dhe ka një zhvillim të dukshëm për këdo. Lidhur me pasiguritë që të jep koha e sotme në hapësirën tonë të demokracisë, ky hutim i madh mes lirisë së fjalës dhe lirisë së qasjes ka çuar në një farë trysnie që vjen nga shumë lajme të pasakta dhe shumë teori konspirative, që kanë shtuar barrën e rëndë sociale”, tha Rama.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.