Rama prezanton “pasqyrën e Dialogut” në rrjetet sociale: Ura e re digjitale për pyetje, kritika dhe propozime
Kryeministri Edi Rama ka ndarë me ndjekësit në rrjetet sociale një përditësim mbi ecurinë e nismave të bashkëbisedimit me qytetarët, duke prezantuar qasjen direkt në këtë proces përmes platformave digjitale. Në mesazhin e tij të mëngjesit, ai i drejtohet publikut duke vënë në dukje mundësinë e hyrjes në këtë format komunikimi nga pajisjet elektronike, ku shkruan se e nis ditën “me pasqyrën e Dialogut në telefonin apo kompjuterin tuaj” dhe uuron lexuesve “një të diel të paqtë”.
Përmes një komunikimi më të detajuar, kreu i qeverisë shtjellon arsyet e ngritjes së kësaj hapësire të re, duke nëvizuar natyrën e protestave në një shoqëri demokratike. Sipas tij, çdo protestë ka një sfond më të gjerë sesa shkaku i nisjes dhe përben një të drejtë thelbësore, por ai bën një ndarje të qartë midis shprehjes së lirë dhe veprimeve të paligjshme.
Rama thekson se “në vendet e lira protesta është një e drejtë e pamohueshme”, duke shtuar se “dhuna ndaj institucioneve, kërcënimi dhe vandalizmi ndaj pronës publike e private janë krime. Prandaj refuzimi i dhunës e distancimi prej saj, është ana tjetër e lirisë dhe së drejtës së protestës”.
Duke referuar përvojën e tij personale me lëvizjet studentore të viteve ’90, Rama ritakson detyrimin e pushtetit për t’u angazhuar në bisedime, sepse sipas tij “protesta është një trokitje në veshin e pushtetit dhe pushteti duhet ta dëgjojë çdo protestë, e të jetë kurdoherë gati për dialog”.
Ai argumenton se shpesh protestuesit qytetarë kërkojnë dialog ndërsa qeveritë hezitojnë, por vëren se në kontekstin aktual ka studentë që intimidohn nga të tjerët për të mos folur publikisht. Lidhur me këtë situatë, kryeministri shprehet se “as dhuna e disave nuk mund të bëhet arsye për të mos dëgjuar të tjerët, as refuzimi i dialogut nga disa nuk mund të kthehet në pengesë për ata që duan të dialogojnë”.
Në këtë kuadër është konceptuar edhe platforma e re digjitale, e cila synon të ofrojë një kanal komunikimi të drejtpërdrejtë fillimisht për studentët dhe më pas për këdo që dëshiron të ngrejë pyetje, kritika apo propozime. Nisma garanton ruajtjen e konfidencialitetit për të gjithë ata që nuk dëshirojnë të publikojnë emrin e tyre.
Rama sqaron se ky mekanizëm nuk kërkon të zëvendësojë tubimet në rrugë apo të imponojë me çdo kusht dakordësinë politike, sepse “synimi është ngritja e një ure ku pyetjet, kritikat, shqetësimet dhe propozimet, ashtu si përgjigjet, kundërargumentet, mirëkuptimi dhe dakordësitë e mundshme, të thuhen lirisht”.
Duke nëvizuar se “askush nuk duhet të zgjedhë mes së drejtës për të protestuar dhe mundësisë për t’u dëgjuar”, ai fton qytetarët ta shfrytëzojnë këtë hapësirë, me parimin se “mund të mos jemi kurrë dakord, por nga mënyra se si e shprehim mosdakordësinë tonë varet edhe sa e mirë ose jo është bashkëjetesa jonë demokratike”.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.