Rama publikon shembullin e Costa Navarinos: Zhvillimi nuk duhet paragjykuar, edhe Zvërneci mund të bëhet destinacion botëror
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetin social Facebook pamje nga kompleksi turistik Costa Navarino në Greqi, duke e cilësuar atë si një shembull të suksesit të projekteve ambicioze që në fillim përballen me kundërshti dhe skepticizëm.
Në mesazhin e tij, kreu i qeverisë thekson se para ndërtimit të Costa Navarino-s kishte paralajmërime për dëme të mëdha mjedisore, protesta dhe kundërshtime të shumta, por sipas tij, projekti u shndërrua në një nga destinacionet turistike më prestigjioze në Europë, duke gjeneruar vende pune, të ardhura për ekonominë dhe zhvillim për komunitetin lokal.
“Costa Navarino mund të quhet ndryshe historia e zakonshme e lajmëtarëve të katastrofës, atyre që nuk ëndërrojnë po paragjykojnë ëndrrat e të tjerëve; nuk projektojnë po gjykojnë projektet e të tjerëve; nuk ndërtojnë po përgojojnë ata që ndërtojnë. Sa më e madhe ëndrra aq më i madh paragjykimi i tyre, sa më ambicioz projekti, aq më e madhe katastrofa e paralajmëruar, sa më i madh ndërtimi aq më i llahtarshëm përgojimi i atyre që ndërtojnë. Ndodhi në Greqi. Me Costa Navarinon. Para se të ndërtohej, u tha se po vinte fundi i botës. U tha se do të shkatërrohej natyra. U tha se do të zhdukej biodiversiteti. U tha se fushat e golfit do të pinin ujin e brezave që do të vinin dhe Messinia do të kthehej në shkretëtirë. U tha se një nga peizazhet më të bukura të Mesdheut do të varrosej nën pushtimin e betonit. Peticione. Protesta. Kundërshti. Debate. Parashikime apokaliptike. Me pak fjalë, repertori i zakonshëm i atyre që e kanë më të lehtë të venë kujën për fundin e një vendi, sesa për transformimin e tij. Por në fund projekti u ndërtua. Dhe sot? Sot Messinia nuk është simbol i katastrofës. Është simbol i transformimit të një ëndrre të bukur në një realitet mbresëlënës, falë një projekti shumë ambicioz. Një nga destinacionet turistike më prestigjioze të Europës”, shkruan Rama.
Kreu i qeverisë solli edhe disa të dhëna mbi performancën mjedisore të resortit, duke përmendur uljen e emetimeve të karbonit, përdorimin e energjisë së rinovueshme dhe riciklimin e ujit.
Rama nënvizoi se historia e Costa Navarino-s tregon se zhvillimi nuk duhet refuzuar kategorikisht dhe se projektet e mëdha mund të bashkëjetojnë me mbrojtjen e natyrës kur ndërtohen me vizion, teknologji dhe përgjegjësi.
Kryeministri e lidhi këtë shembull me projektin e planifikuar në Zvërnec, zonë që sipas tij, ka potencialin për të krijuar një destinacion turistik me rëndësi
“Costa Navarino nuk është thjesht historia e një resorti më shumë. Është prova se kur vizioni, projekti, kapitali, teknologjia dhe përgjegjësia bashkohen në një ëndërr të madhe, mund të ndryshojnë fatin e një territori të tërë.
Po Shqipëria s’mund ta ketë “Costa Navarinon” e saj? Patjetër që po, madje ende më rrezatuese botërisht mu aty, në Zvërnec, po si e qysh kjo nuk ka lidhje me historinë e këtij postimi, po me historinë e një projekti që ka ambicien të krijojë destinacionin më tërheqës të kësaj ane të Mesdheut”, thekson Rama.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.