“Rama të mos dorëhiqet”, Spaho sqaron deklaratën dhe “shpërthen” kundër PD
Në një intervistë për Klan News, ish-deputeti i PD-së, Edmond Spaho, ka analizuar situatën aktuale politike, duke u ndalur te protestat qytetare, qëndrimi i tij ndaj kryeministrit dhe gjendja brenda opozitës.
Spaho e cilësoi protestën 30-ditore të nisur për Zvërnecin si një kaos të pakuptimtë të nxitur nga faktorë jashtë vendit, duke mbrojtur ndërtimin e resorteve në zona të mbrojtura si një praktikë normale turistike.
Megjithëse deklaroi se i qëndron kritikeve të tij të ashpra ndaj Edi Ramës, ai argumentoi se kryeministri nuk duhet të japë dorëheqjen tani për të mos destabilizuar vendin në një moment kyç historik. Sipas tij, palët duhet të arrijnë një pakt politik për të fokusuar reformat tek integrimi në BE, duke sugjeruar që vendi të vazhdojë kështu deri në zgjedhjet e vitit 2027.
“Unë vazhdoj t’u mbeten të gjitha atyre që kam thënë për Edi Ramën në të gjithë vitet e karrierës sime politike, nuk u heq as presjen. Në postimin tim që kam bërë, e kam shprehur mjaft qarë ‘i ke bërë dëme të mëdha vendit, duhet të kishe ikur me kohë, por duke u ndodhur para këtij momenti historik, integrimi i Shqipërisë në BE, për çfarëdolloj arsyeja janë mbushur kriteret apo jo, unë mendoj që ne duhet të fokusohemi te kjo çështje, te integrimi europian. Të kishte një pakt të gjerë politik për të ruajtur stabilitetin dhe për të bërë reformat, në të kundërt ne shkojmë 180 gradë pas dhe përpiqemi që ta krijojmë vetë destabilitetin politik, sigurisht edhe me ndërhyrje të tjera. Kjo është arsyeja që unë mendoj, më mirë të vazhdojmë kështu deri në vitin 2027, të mbyllim kapitujt dhe pastaj t’i drejtohemi kutive zgjedhore.”
Ish-deputeti lëshoi akuza të forta ndaj Partisë Demokratike, duke e quajtur një parti të falimentuar dhe në bashkëpunim me mazhorancën për interesa privilegjesh. Në fund, ai hodhi poshtë çdo aludim për kalim te socialistët, duke garantuar se nuk ka pasur dhe nuk do të ketë asnjë bashkëpunim me PS-në.
“Kjo klasë politike e ka mbyllur misionin, më keq nga të gjitha është PD, e cila është një parti e falimentuar, e paaftë të nxjerrë njerëz në rrugë, është e paaftë sepse nuk prek dot nervin e qytetarëve. Është në bashkëpunim me mazhoranc ës për të ruajtur ato pak privilegje që kanë, si deputetë të asaj forcë. Nuk kam pasur asnjë ftesë bashkëpunimi me PS, flini rehat nga kjo anë. As kam pasur dhe as do kem, sepse më njohin shumë mirë, kurrë nuk do i shërbej PS dhe Edi Ramës.”



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.