Rama: Ulja e TVSH-së për 54 produkte duhet të reflektohet te qytetarët, “Pasqyra e Çmimeve” do të garantojë transparencën
Kryeministri Edi Rama e vendosi fokusin e episodit të gjashtë të sezonit të shtatë të podcastit “Flasim” te paketa e re fiskale e miratuar nga Kuvendi, duke veçuar një nga masat që sipas tij prek drejtpërdrejt buxhetin e familjeve shqiptare: uljen e TVSH-së nga 20% në 6% për 54 produkte bazë ushqimore.
Rama tha se bëhet fjalë për një ndërhyrje të rëndësishme fiskale që synon të lehtësojë kostot për qytetarët, por theksoi se vendimi nuk do të ketë vlerë nëse nuk reflektohet realisht në çmimet që paguhen në markete.
“Parlamenti, me propozim të qeverisë, vendosi që për 54 produkte bazë ushqimore të ulë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar nga 20% në vetëm 6%. Por kjo nuk duhet të jetë thjesht një ulje që mbetet në shifrat e ligjit. Duhet që zbatimi në praktikë të shoqërohet me vetëdije dhe përgjegjshmëri nga tregtarët, por duhet edhe monitorim e transparencë nga ana e qeverisë”, u shpreh kryeministri.
Për të garantuar që ulja e taksës të pasqyrohet realisht në treg, kreu i qeverisë vuri në dukje rëndësinë e platformës së re “Pasqyra Digjitale e Çmimeve”, e cila sipas tij po jep rezultate inkurajuese.
“Sot kemi një instrument shumë të ri, që është aktiv dhe mesa unë kuptoj me rezultate inkurajuese. Është ‘Pasqyra Digjitale e Çmimeve’, e reflektuar në të gjitha pikat e shitjes që i janë bashkuar kësaj nisme”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë sqaroi se përmes kësaj platforme raportohen në kohë reale çmimet e qindra produkteve, duke krijuar transparencë më të madhe në treg dhe duke i dhënë qytetarëve mundësinë të krahasojnë ofertat.
“Këto pika shitjeje raportojnë çmimet e 224 produkteve dhe qytetarët kanë mundësinë të bëjnë krahasime. Kjo është një mënyrë shumë e drejtpërdrejtë për të parë se ku janë çmimet më të ulëta dhe për të garantuar që ulja e taksave të mos mbetet thjesht në letër”, deklaroi ai.
Ai shpjegoi se sistemi u mundëson qytetarëve të informohen në kohë reale për çmimet e produkteve ushqimore dhe të bëjnë krahasime mes marketeve të ndryshme.
“Pikat e shitjes raportojnë çmimet e 224 produkteve dhe qytetarët kanë mundësi të bëjnë krahasime të drejtpërdrejta”, tha kryeministri.
Për të diskutuar më gjerësisht mbi funksionimin e platformës, Rama kishte të ftuar në episodin e kësaj jave drejtuesen e skuadrës së zhvilluesve të “Pasqyrës së Çmimeve”, e cila shpjegoi mënyrën se si monitorohen dhe publikohen të dhënat për konsumatorët.
Sipas qeverisë, ulja e TVSH-së do të prekë një sërë produktesh të përdorimit të përditshëm, mes tyre bukën, miellin, qumështin, vezët, orizin, makaronat, vajin, mishin, peshkun, frutat dhe perimet.
Në episodin e podcastit ishte e ftuar edhe drejtuesja e skuadrës së zhvilluesve të platformës “Pasqyra e Çmimeve”, me të cilën Rama diskutoi mbi funksionimin e sistemit dhe mënyrën se si të dhënat përditësohen nga rrjetet e tregtimit me pakicë.
Sipas kryeministrit, objektivi i qeverisë është që qytetarët të përfitojnë drejtpërdrejt nga politika e re fiskale, ndërsa transparenca në treg të rritet përmes teknologjisë dhe monitorimit publik.
Rama nënvizoi se qëllimi përfundimtar i kësaj reforme është që përfitimi fiskal të mos mbetet vetëm në hallkat e tregut, por të përkthehet në ulje reale të çmimeve për qytetarët, ndërsa “Pasqyra Digjitale e Çmimeve” do të shërbejë si një mekanizëm kontrolli dhe transparence për konsumatorët.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.