Reagime të ashpra pas vrasjes së Arlinda Zekajt: Kush do të japë llogari?
Vrasja e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës ka nxitur reagime të shumta nga përfaqësuese politike dhe aktiviste, të cilat kanë kërkuar hetim urgjent dhe përgjegjësi institucionale për rrethanat që i paraprinë vdekjes së saj.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, asamblistja e Partisë Socialdemokrate (PSD) në Deçan dhe ish-kandidatja e kësaj partie për kryetare të komunës, Natyra Kuçi, si dhe ish-ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, kanë reaguar publikisht pas rastit tragjik.
Lushaku-Sadriu ka kritikuar trajtimin e rastit nga institucionet, duke thënë se Arlinda Zekaj kishte paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik dhe kishte kërkuar mbrojtje.
“Për gratë, shteti vdiq sonte!”, ka shkruar ajo, duke ngritur pyetje se kush e dëgjoi Arlindën, kush duhej ta mbronte dhe pse ajo u kthye në shtëpi pas raportimit të dhunës.
Ajo ka kërkuar hetim urgjent, përgjigje të qarta dhe llogaridhënie për çdo dështim të mundshëm institucional.
Edhe Natyra Kuçi ka reaguar me një mesazh emocional, duke kritikuar sistemin e drejtësisë dhe institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e grave.
Kuçi ka përmendur vështirësitë që, sipas saj, Arlinda kishte përjetuar lidhur me të drejtën për të takuar djalin e saj, si dhe pretendimet për kërcënime dhe sulme. Ajo ka vlerësuar se Arlinda ishte lënë pa mbështetjen dhe sigurinë e nevojshme.
“Arlinda, u vra sot nga një gjykatë patriarkale, nga një polici dhe mirëqenie sociale e dështuar. E vrau një zinxhir i tërë shtetëror i dështuar”, ka shkruar Kuçi, duke shprehur dhimbjen për humbjen e saj.
Ndërkohë, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka publikuar një pjesë të një letre që, sipas saj, Arlinda Zekaj ia kishte drejtuar Prokurorisë Themelore në Pejë vetëm tri ditë para vrasjes.
Në këtë letër, Arlinda kishte shprehur shqetësimin për dhunën ndaj grave dhe kishte kërkuar që personat përgjegjës të japin llogari.
“Prej të parit deri te i fundit duhet me dhënë përgjegjësi”, ka shkruar Bajrami në reagimin e saj, duke kërkuar përgjegjësi për rastin.
Edhe ish-ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, ka reaguar për vrasjen e Arlindës, duke ngritur shqetësimin për vazhdimësinë e rasteve të dhunës ndaj grave në Kosovë dhe mungesën e llogaridhënies.
“Femicidi është i pranishëm dhe vazhdon fuqishëm në Kosovë!”, ka shkruar Haradinaj.
Ajo ka theksuar se ndëshkimi i autorit të dyshuar nuk duhet të jetë përgjigjja e vetme, duke kërkuar që të ketë përgjegjësi edhe për mënyrën se si institucionet i trajtojnë rastet e dhunës ndaj grave.
Reagimet vijnë pas njoftimit të Policisë së Kosovës se Arlinda Zekaj ishte raportuar fillimisht si viktimë e dhunës në familje dhe ishte intervistuar në stacionin policor në Pejë. Sipas policisë, ajo ishte kthyer në shtëpinë e saj me vullnetin e vet, ndërsa rreth orës 21:10 autoritetet ishin njoftuar se ishte gjetur pa shenja jete.
Sipas të dhënave fillestare të policisë, dyshohet se vdekja e saj është shkaktuar nga goditjet me një mjet të fortë. Personi i dyshuar për vrasjen, i cili dyshohet të jetë kunati i saj, ndodhet në arrati.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, ndërsa hetimet po vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave.
Rasti ka rikthyer në qendër të debatit publik mbrojtjen institucionale të grave që raportojnë dhunë dhe nevojën për të sqaruar nëse janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për sigurinë e Arlinda Zekajt para vrasjes së saj. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.