Reforma Territoriale/ Mazniku pranon rezervat brenda PS-së: Përfitimet për vendin janë më të mëdha se kundërshtitë loka
Reforma administrativo-territoriale dhe mënyra se si u miratua në Parlament ishte në fokus të një interviste të deputetit socialist dhe bashkëkryetarit të Komisionit për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku, në emisionin “3D” me Alban Dudushin.
Mazniku pranoi se brenda grupit parlamentar socialist ka pasur diskutime dhe rezerva lidhur me ndryshimet e reja territoriale, por theksoi se reforma u mbështet pasi përfitimet për vendin janë më të mëdha se kundërshtitë lokale.
Sipas tij, pothuajse çdo deputet që përfaqësonte një zonë të prekur nga reforma kishte shqetësime dhe ndjeshmëri për ndryshimet që prekën njësitë administrative të zonave të tyre.
Arbjan Mazniku, bashkëkryetar i Komisionit për Reformën Territoriale, u shpreh, “Si grup parlamentar i mazhorancës patëm rastin të bënim një debat të rëndësishëm për çështjen e reformës territoriale. Ka pasur një grup deputetësh, më të madh sesa është përfolur, që kanë pasur shqetësime dhe i kanë shprehur ato. Pothuajse secili deputet që vjen nga një zonë e prekur nga reforma ka pasur një ndjeshmëri të caktuar, sepse përballej me pyetjet e qytetarëve dhe komuniteteve për ndryshimet që sillte kjo reformë.”
Megjithatë, deputeti socialist argumentoi se reforma është një proces që nuk mund të gjejë mbështetje unanime, por që sipas tij është e nevojshme për të përmirësuar funksionimin e pushtetit vendor.
“Kjo është një reformë me të cilën jo të gjithë do të bien dakord. Por pjesa më e rëndësishme e debatit politik është të kuptojmë se dobitë që kjo reformë sjell për Shqipërinë janë më të mëdha sesa diskutimet që ngjall. Kjo reformë do të përmirësojë jetën e njerëzve, do të përmirësojë funksionimin e bashkive dhe është pjesë e një axhende të qartë të Partisë Socialiste, sepse na duhen bashki që funksionojnë më mirë, me më shumë kapacitete, efikasitet dhe burime,” tha ai.
Mazniku theksoi se Reforma e Administrimit Territorial 2.0 ishte pjesë e programit politik të Partisë Socialiste dhe më pas e programit qeverisës, ndaj sipas tij nuk mund të konsiderohet një nismë e papritur.
” Unë mund të them se ajo që u vërtetua dje është se është krejt normale që çdo person, anëtar i Partisë Socialiste dhe deputet me mandat nga Partia Socialiste, ka të drejtën e tij të ketë një mendim të caktuar për çdo çështje. Gjithashtu, është krejt e shëndetshme që brenda familjes sonë politike të zhvillojmë debate për mënyrën më të mirë të ecjes përpara, qoftë për një ligj apo për një reformë.Sigurisht, një reformë si kjo prek jetën e shumë njerëzve dhe shumë territore. Unë e kam bërë këtë debat me zotin Sinaj disa herë, madje edhe personalisht. Reforma e Administrimit Territorial 2.0 është një element që ka qenë pjesë e programit të Partisë Socialiste dhe më pas pjesë e programit qeverisës. Nuk ka qenë diçka e papritur. Partia Socialiste ka marrë vota në zgjedhje dhe qytetarët kanë qenë në dijeni të këtij angazhimi,” u shpreh Mazniku.
Duke folur për mungesën e konsensusit me opozitën, ai tha se mazhoranca kishte ofruar mundësi bashkëpunimi, por përballë refuzimit vendosi të vijonte procesin.
“Ne i dhamë opozitës një sërë garancish dhe mundësish që reforma të bëhej së bashku. Në momentin kur opozita tregoi se nuk donte të ecte në këtë rrugëtim me mazhorancën, ne u gjendëm përballë dy zgjedhjeve: ose reforma të dështonte, ose të bënim atë që ishte e mundur brenda kuadrit që kishim,” deklaroi ai.
Sipas Maznikut, faza e ardhshme e reformës do të përqendrohet te decentralizimi, financimi i pushtetit vendor dhe forcimi i kapaciteteve të bashkive, me synim rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.