Rishikimi i buxhetit 2026/ Rama: Bonus për pensionistët, më shumë fonde për shëndetësinë dhe dyfishim të mbështetjes për startup-et
Kryeministri Edi Rama deklaroi se se ecuria pozitive e ekonomisë ka krijuar mundësinë për të marrë një sërë masash në mbështetje të qytetarëve duke rishikuara edhe buxhetin 2026 për një rialokim më të mirë të të ardhurave.
Sipas Ramës, rritja e të ardhurave i ka dhënë qeverisë hapësirën për të financuar politika sociale dhe për të shtuar investimet në shëndetësi, sipërmarrje dhe mbështetje për shtresat në nevojë.
“Ekonomia, e cila po rritet përtej parashikimeve, duke sjellë të ardhura përtej parashikimeve, na dha mundësinë që të dalim me një sërë masash në shërbim të drejtpërdrejtë të njerëzve dhe në respekt të të gjithë atyre që kërkojnë, me shumë të drejtë, akoma më shumë nga qeveria dhe nga shoqëria, përmes qeverisë”, tha Rama.
Lidhur me bonusin për pensionistët që ka nisur të shpërndahet që prej 1 korrikut, Rama shtoi se të gjitha të ardhurat shtesë të krijuara nga rritja e çmimit të naftës gjatë krizës së Lindjes së Mesme nuk do të përfundojnë në buxhet, por do t’u shpërndahen pensionistëve.
“Aprovuam një bonus për pensionistët. Vjet u tha se bonusi i pranverës bëhej për fushatë. Jo. Ne nuk kemi asnjë fushatë, fushatën tjetër e kemi në vitin 2029. Pensionistët morën një tjetër bonus, ku u fut edhe çdo qindarkë e përfituar nga rritja e panatyrshme e çmimit të naftës, si rezultat i krizës së luftës mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit dhe asaj që ndodhi në Ngushticën e Hormuzit. Ne nuk futëm në buxhet asnjë qindarkë që erdhi më shumë nga taksat mbi naftën, por ua dhamë ato pensionistëve”, tha ai.
Akti normativ parashikon edhe 15 milionë euro shtesë për barnat e pacientëve në Onkologjik, rritje pagash për mjekët e urgjencës, zgjerimin e garancisë sovrane për programin kombëtar të ndërmarrjeve, si dhe dyfishimin e mbështetjes për personat me aftësi të kufizuara dhe fëmijët me aftësi të veçanta.
“Vendosëm në dispozicion të të sëmurëve me kancer 15 milionë euro të tjera për medikamentet e tyre dhe vendosëm rritjen e pagave të mjekëve të urgjencës. Vendosëm rritjen e garancisë sovrane për programin kombëtar të ndërmarrjeve. Vendosëm dyfishimin e mbështetjes për personat me aftësi të kufizuara dhe dyfishimin e mbështetjes për fëmijët me aftësi të veçanta, tha Rama.
Në të njëjtën deklaratë, Rama u ndal edhe te mbështetja për sipërmarrjet e reja, duke bërë të ditur se fondi i programit “Startup Albania” është dyfishuar për shkak të interesit të lartë të të rinjve.
Sipas tij, nga 3 milionë euro të planifikuara fillimisht, fondi është rritur në 6 milionë euro, pasi numri i aplikimeve ka kaluar nga më pak se 100 në mbi 1 200.
“Kemi dyfishuar programin e startup-eve. Financimi, nga 3 milionë euro të parashikuara, ka shkuar në 6 milionë euro mbështetje, pasi jemi gjendur përpara një rritjeje befasuese të numrit të aplikimeve në programin ‘Startup Albania’. E kemi nisur atë program me më pak se 100 aplikime dhe këtë vit jemi gjendur me më shumë se 1200 aplikime. Kjo na ka vendosur në pozicionin e detyruar që t’u përgjigjemi të rejave dhe të rinjve me një dyfishim të volumit të financimit. Nëse aplikimet do të vazhdojnë të rriten me këtë trend, edhe mbështetja do të vazhdojë të rritet”, tha ai.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.