Rogozna drejt rudnikut të ri të arit: kompania australiane planifikon deri në 5 tonë ar në vit
Strickland Metals përgatit fazën e parë të zhvillimit të vendburimit Gradina pranë Novi Pazarit — studimi i fizibilitetit pritet në gjysmën e dytë të vitit 2027
Kompania australiane Strickland Metals po përgatit fazën e parë të zhvillimit të projektit të saj të arit në malin Rogozna, pranë Novi Pazarit, me fokus në vendburimin Gradina — me një kapacitet të planifikuar prej rreth 2,5 milionë tonë xeheror në vit dhe prodhim potencial deri në 150.000 onca (rreth 4,67 tonë) ar në vit, siç raporton portali eKapija.
Të dhënat i bëri publike kryetari i bordit të kompanisë, Anthony McClure, gjatë forumit “Mining Forum Americas 2026” në Kolorado, ku ai prezantoi në detaje planin e zhvillimit të Rogoznës dhe shpjegoi arsyet pse kompania ka ngadalësuar përkohësisht aktivitetet e shpimit në Serbi.
Në një detaj me peshë politike, McClure zbuloi se qeveria serbe u ka kërkuar kompanive minerare të ulin profilin e tyre publik gjatë procesit zgjedhor: “Qeveria na tha të jemi pak më të qetë gjatë këtij procesi zgjedhor”, tha ai, duke shtuar se kompania pret ta rifillojë aktivitetin pas zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit, me shpime të reja që mund të nisin që në nëntor.
Strickland planifikon edhe rreth 50.000 metra shpime shtesë për të ngritur kategorinë e besueshmërisë së burimit, ndërsa studimi i fizibilitetit në nivel paraprak pritet në gjysmën e dytë të vitit 2027. E gjithë Rogozna aktualisht përfshin katër vendburime kryesore — Šanac, Gradina, Medenovac dhe Copper Canyon — me një burim total mineral prej 9,25 milionë onca ekuivalent ari.
Kompania ka rreth 80 milionë dollarë australianë likuiditet dhe një vlerë tregu prej rreth 170 milionë dollarësh australianë; kompania kineze Zijin Mining zotëron 7,4% të aksioneve të saj përmes disa transaksionesh, raporton eKapija.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.